KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Gjuhëtarët sot në kryeministri: Mediat, modeli më i keq i gjuhës shqipe

Gjuhëtarët sot në kryeministri: Mediat, modeli më i keq i gjuhës shqipe

“Sfidat e shqipes sot” është tema që ka mbledhur gjuhëtarë nga qarqe akademike të Shqipërisë dhe trojeve shqipfolëse në sallën e COD në Kryeministri, takim i nismuar nga Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Kritika më e madhe iu bë mediave, të cilat sipas gjuhëtarit Gjovalin Shkurtaj, që drejtonte takimin, kanë rëndësi edhe më të madhe se sa shkollat në krijimin e modeleve të të folurit.

Në Kryeministri nuk kanë munguar as kritikat për kryeministrin aktual dhe ata paraardhës. Siç u shpreh edhe prof. Edmond Tupe. “ Nëse njerëzit dëgjojnë nga figurat publike të politikës, si kryeministri, i tanishëm ose jo, fjalën “memorje” në vend të fjalës “kujtesë”, këtu ka diçka që s’shkon. Kjo sepse do ta imitojnë njerëzit që e dëgjojnë këtë fjalë prej tij, qoftë edhe pa vetëdije. E njëjta gjë vlen për Berishën e mbi të gjitha Fatos Nanon” tha zoti Tupe.

Kritika u bënë edhe për dokumentat që dërgohen në administrata, mungesa e shkrimit të gërmes ë, ç, edukimi i drejtë që në kopshte, shkolla etj. Problem i madh mbetet mungesa e lakimit të emrave të përveçëm, sidomos kur janë emra të huaj, e këta të fundit duhen shkruar si në origjinal apo siç shqiptohen në shqip. Por edhe i foluri dialektor u pa i pranueshëm dhe u kërkua një fjalor i plotë i shqipes duke futur edhe dialektet. Përgjatë bisedimit u kërkua futja e gjuhës shqipe në teknologji e në realitetin virtual. Shumë pyetje mbeten pa përgjigje përfundimtare, por u dhanë ide e mendime se si mund të punohet për të ndryshuar situatën, çka përbën një hap përpara për gjuhën shqipe në tërësi.

Sicred