KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Shqipëria drejt krijimit bursës së energjisë
Shqipëria drejt krijimit bursës së energjisë

Shqipëria drejt krijimit bursës së energjisë

Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Konfederatën Kombëtare të Industrive (AlbKonfindustria) dhe e mbështetur nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, organizuan në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Forumin Ndërkombëtar për “Bursën Shqiptare të Energjisë – APEX”.

APEX, do të ndihmojë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe për të pasur një lidhje më të mirë të tregut shqiptar të energjisë me pjesën tjetër të Evropës. Krijimi i APEX-it do të jetë në përputhje me zbatimin e politikave të energjisë dhe me standardet e Bashkimit Evropian dhe integrimin në tregun rajonal të energjisë. Tregu shqiptar do të bëhet platforma kryesore për tregtimin e energjisë, duke i dhënë mundësi të gjithë aktorëve vendas të blejnë dhe të shesin energji elektrike shpejt dhe lehtësisht, duke përfshirë edhe tregëtimin me vendet e tjera. Bursa Shqiptare e Energjisë pritet të ndihmojë në nxitjen e integrimit të rrjetit elektrik të Shqipërisë me pjesën tjetër të Evropës, duke përfshirë edhe vendet fqinje në rajon. APEX gjithashtu do të rrisë transparencën e çmimeve, dhe do të përmirësojë klimën e investimeve për projektet e reja të energjisë.

“Liberalizimi i ekspozon Shqipërinë edhe përballë të panjohurave ndaj kujdesi i qeverisë do të jetë shumë i madh, njëkohësisht edhe për informimin e të gjithë aktorëve e partnerëve që janë në sektorin elektroenergjitik. Ata do mund të informohen në vijimësi për avantazhet dhe kostot që sjell procesi i liberalizimit. Edhe ky aktivitet ka këtë qëllim për të komunikuar dhe diskutuar hapat që na presin”, u shpreh Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë. Sipas tij, çështja e afatit për daljen në treg të klientëve të parë është duke u adresuar. “Ne nuk do ti ekspozojmë aktorët që do të dalin në treg ndaj masave të paparashikueshme apo që mund të sjellin probleme në furnizimin me energji elektrike”, garantoi ministri Gjiknuri. Ai nënvizoi se që të arrihet krijimi i bursës duhet të ecim dhe me proceset e tjera. “Procesi i liberalizimit nuk duhet të ndalet pasi ndryshe nuk do të ketë treg, nuk duhet të ndalet as prodhimi i energjisë elektrike. Shqipëria, mundësitë e saj duhet ti shfrytëzojë për të shtuar volumin që ti shërbejë edhe Bursës” tha ministri.

Gjergj Buxhuku, Kryetar i AlbKonfindustria tha se “Liberalizimi dhe integrimi i tregut të energjisë shoqëruar me krijimin e APEX, si hallkë e domosdoshme e procesit, nëse do të menaxhohet mirë dhe në mënyrë afatgjatë, do të sjellë përmirësimin e furnizimit në çmim dhe cilësi për bizneset dhe industritë, shtim të vlerës së energjisë elektrike të prodhuar në vend dhe shtim të fuqisë tërheqëse të ekonomisë kombëtare për investime”.

“IFC është e kënaqur që të kontribuojnë drejtpërdrejt në krijimin e tregut të energjisë elektrike të Shqipërisë, nëpërmjet krijimit të Bursës së Energjisë. Kjo është shumë në përputhje me strategjinë e re të IFC-së, që fokusohet në krijimin e tregjeve dhe investimet e sektorit privat në tregjet kryesore në zhvillim “, tha nga ana e tij Nickolas Frydas, Specialist i Lartë Energjisë në IFC. Duke dhënë këtë sinjal në lidhje me transparenën e çmimeve, Shqipëria do të mbështesë të gjitha investimet e ardhshme, veçanërisht ato hidrike dhe burimet e rinovueshme të tjera, duke kontribuar në këtë mënyrë edhe në zhvillimin e qendrueshëm të vendit dhe në zhvillimin e procesit të përafrimit në BE. “IFC- ja do të angazhohet maksimalisht në sektorin energjetik shqiptar, për të mbështetur reformat rregullatore dhe nevojat për investime në sektor” theksoi Laura Qorlaze, Përfaqesuesja e IFC-së në Shqipëri.

Sicred