KRYEFAQJA » LAJME » Gjici rikonfirmon Milinkoviç në krye të Kukësit
Gjici, rikonfirmon Milinkoviç, në krye të Kukësit

Gjici rikonfirmon Milinkoviç në krye të Kukësit

Mladen Milinkoviç rikonfirmohet edhe njëherë në krye të Kukësit. Humbja me Skënderbeun ia lëkundi por nuk ia shembi themelet trajnerit serb. Në analizën e bërë të dielën, ku ishin prezentë, presidenti i Kukësit, stafi drejtues si dhe disa nga senatorët e skuadrës, Gjici i ka dhënë mundësinë e fundit trajnerit serb. Por për të vazhduar punën edhe më tej me skuadrën verilindore, atij i është dhënë ultimatumi: 3 fitore në 3 ndeshjet e fundit. Pra 9 pikë të plota për Kukësin kur do të përballet me Lushnjen, Teutën dhe Luftëtarin. Në parim duket një mision i realizueshëm por futbollit asnjëherë nuk i dihet. Ndaj Milinkoviç dhe djemtë e tij duhet të punojnë fort në ditët e mbetura për të realizuar misionin e ngarkuar. Mbi të gjitha për të ruajtur pozitat në renditje e për t’u munduar që të ngushtojnë diferencën me Skënderbeun kryesues. Gjici me të tijët mendojnë ende se ka shpresë për të rikuperuar e pse jo, të fitojnë sërish titullin kampion. Por duke iu kthyer analizës, presidenti Gjici ka mbetur i pakënaqur me humbjen ndaj Skënderbeut, rivalit direkt për titull, pasi është thelluar diferenca në pikë. Sipas burimeve brenda klubit, mësohet se ai iu ka thënë trajnerëve dhe senatorëve se duke parë lojën që u zhvillua nuk duhet të kishin dalë nga fusha pa pikë. Trajneri Milinkoviç ka pranuar gabimet në mbrojtje dhe ka thënë se do të analizohen të gjitha problemet në stërvitje.

(Visited 31 times, 1 visits today)
Sicred