KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Gjermania mbështet Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”

Gjermania mbështet Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “ Marubi “ në Shkodër jo vetëm ka tërhequr vëmendjen e mijëra adhuruesve të fotografisë, por për jetëgjatësinë e tij, po investon edhe qeveria gjermane. 500 mijë negativët e këtij muzeu, tashmë do konservohen e ruhen në kushtet më të mira bashkëkohore, falë mbështetjes gjermane me vlerë 70.000 euro. Ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë , Susanne Schütz, tha se, “ Qoftë edhe vetëm sasia e materialeve, e bën të qartë se çfarë thesaresh fshihen në muzeun “ Marubi “, i cili që prej hapjes së tij vitin e shkuar, është kthyer në një pikë referimi në Shqipëri, që rrezaton përtej kufinjve të vendit. Me më shumë se 500 mijë negativët e tij, rreth 150 mije prej të cilave negativë xhami tepër të ndjeshëm, ky muze është shndërruar në strehën e një thesari me vlera unike në pikpamje historiko- kulturore dhe njëkohësisht një pjesë vendimtare e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.” Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës, vijoi duke thënë se, “Nuk mjafton vetëm ta shpëtojmë thesarin siç kemi bërë jo vetëm në Shkodër, por edhe në vende të tjera, por duhet të investojmë që ky thesar të jetë i siguruar përjetë.” Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm, e quajti “Një hap vendimtar për promovimin e atyre elementëve përbërës, që kanë të bëjnë me identitetin europian të shqiptarëve.” I çelur vetëm në Maj të vitit që shkoi, Muzeu Marubi në Shkodër garon mes 40 muzeve europianë për çmimin “ Muzeu më i mirë i vitit” , një ndër çmimet evropiane më prestigjoze për muzetë që kontribuojnë në tërheqjen e audiencës e që i kanë kushtuar vëmendje të veçantë edukimit të brezave .

Sicred