KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Gjermania fiton Kupën e Konfederatave
Rusi, Kupa e Konfederatave "provë gjenerale" e Botërorit "Rusia 2018"

Gjermania fiton Kupën e Konfederatave

Gjermania ka mposhtur Kilin me një gol të vetëm, në finalen e Kupës së Konfederatave 2017, që ka ulur të dielën siparin në Rusi. Pjesa e parë e kësaj sfide ka parë Kilin më dominues, duke synuar shmangien e pësimit të një goli të hershëm, sikundër i kishte ndodhur Meksikës në gjysmëfinale. Madje, janë amerikanolatinët ata që e rrezikojnë që në fillim. Në të dy rastet, është Arturo Vidal i Bajernit të Mynihut, një njohës i mirë i futbollit gjerman, që nuk shënon. Më pas do të jetë edhe Vargas ai që çon dëm një tjetër rast për shënim dhe 20 minutat e para flasin vetëm për Kilin. Dhe goli vjen, por, përkundër rrjedhës së lojës, vjen në krahun tjetër. Gjermanët përfitojnë nga një gabim i pafalshëm i mbrojtjes kiliane dhe, me të parin rast që i paraqitet, Verner nuk e ka të vështirë të shënojë.
Goli e ka kthyer rrjedhën e lojës në favor të evropianëve, të cilët do të përfitojnë nga hutimi i Kilit dhe do ta rrezikojnë në 3 raste portën e amerikanolatinëve. Por pasaktësia në finalizimin, si dhe reflekset e portierit Bravo i mohojnë kampionëve të botës dyfishimin e epërsisë.
Me Kilin që do të mundohet të reagojë do të mbyllen 45 minutat e para.
45 minutat e dyta do të shohin një dialog të vazhdueshëm të sulmit të kampionëve të dyfishtë të Amerikës Latine me mbrojtjen e Gjermanisë. Loja do të zhvillohet kryesisht në gjysmëfushën e skuadrës së drejtuar nga trajneri Joakim Lëv. Kilianët do të ndërtojë dhe çojnë dëm rast pas rasti për shënim, herë për shkak të mungesës së qartësisë në finalizim, herë për meritë të mbrojtjes gjermane, por edhe të gardianit të portës, Ter Shtegen.
E megjithatë amerikanolatinët nuk do të arrijnë ta thyejnë dot qëndresën e kampionëve të botës. Emocionet kanë qenë të jashtëzakonshme deri në sekondat e fundit të 5 minutave shtesë, por Gjermania u ka bërë ballë sulmeve të Kilit dhe e ka ruajtur këtë fitore minimale, por të vyer, që i siguron asaj të parën trofe të Kupës së Konfederatave.
Mbetet për t’u parë nëse gjermanët do të arrijnë të thyejnë vitin e ardhshën po në Rusi mallkimin që fituesi i Kupës së Konfederatave nuk vijon të shpallet edhe kampion i rruzullit në Botërorin që vijon… Sidoqoftë, koha do ta tregojë.

Sicred