KRYEFAQJA » LAJME » Gjermania: Do të marrim në kohë vendimin për Këshillin Europian

Gjermania: Do të marrim në kohë vendimin për Këshillin Europian

Gjermania nuk ka marrë ende vendim për Shqipërinë dhe emrat zakonisht nuk janë kushte për projekte europiane. Sekretari i Përgjithshëm për Parlamentin në Ministrinë Gjermane të Drejtësisë që ishte në Tiranë për çeljen e projektit “Euralius V”, ka përjashtuar faktorët e lidhur me emra të përveçëm si mundësi gjykimi mbi vendim-marrjen e Gjermanisë për Shqipërinë. Lange u shpreh si më poshtë: “Nuk është diçka e zakonshme që raste të veçanta, të kthehen në kusht për projekte europiane. Më shumë se kaq nuk kam çfarë tiu them.” Nuk kemi marrë vendim akoma. Vendimi duhet të dalë nga kabineti qeveritar dhe pastaj diskutohet në parlament. Në të njëjtën mënyrë, Lange ka përjashtuar ndikimin e deklaratave të eksponentëve partiakë bazuar në opinionin ose idenë që kjo nuk është një gjë e zakonshme, ose diçka që ndodh rëndom në Gjermani. “E kam dëgjuar deklaratën e kolegut ëadephul dhe mund t’iu them që Gjermania nuk e ka për traditë të mbajë qëndrim mbi çështje të politikës së brendshme, prandaj edhe kjo gjë më ka surprizuar. Nuk është aspak praktikë e zakonshme e Gjermanisë të mbajë qëndrime për politikat e brendshme të shteteve te tjera.” Në kontekstin e përpjekjeve të pandërprera për të patur argumente për Shqipërinë, zyrtari i lartë gjerman ka dhënë më shumë sinjale pozitive, duke e vendosur theksin mbi projektin e ri te “Euralius V”. “Përshpejtimi i reformave në procesin e drejtësisë është një nga hapat kyçe që do të kenë ndikim në këtë vendimmarrje, dhe ky është një vendim unanim nga krerët e qeverive dhe të shteteve. Edhe shtetet e tjera anëtare do të shqyrtojnë sistemin e drejtësisë dhe kjo është arsyeja që unë kam ardhur sot. “Euralius V” është një mundësi mjaft e mirë për të siguruar implementimin e reformës në drejtësi. BE do të kryejë një ekspertizë mjaft të mirë. Gjithçka mund të arrihet me guxim dhe unë them le ta bëjmë diçka të tillë… le të besojmë se ndryshimi është i mundur.” Lange nuk ka përjashtuar dhe ndikimin mbi situatën politike të Shqipërisë, kur kërkoi konsensus politik, si kusht për funksionimin e shtetit të së drejtës. Ai përfundoi: “Bllokadat politike nuk ndihmojnë në progresin e vendit. Ne vijmë nga kultura të ndryshme politike. Ne në Gjermani jemi të orientuar drejt konsensusit, gjë që nuk e konstatoj në Shqipëri.”