KRYEFAQJA » LAJME » Gjermania “bebe” premton të rritet shpejt

Gjermania “bebe” premton të rritet shpejt

Është më e lehtë ta fitosh një titull, sesa ta mbrosh atë. Ky postulat i sportit në përgjithësi, por edhe i futbollit në veçanti, ka gjetur zbatim tek Gjermania, e cila po merr pjesë në Kupën e Konfederatave, që po mbahet në Rusi. Gjermanët u rikthyen, pas plot 24 vjetësh, tek titulli i kampionëve të botës më 2014-ën, por, sikundër dëshmoi edhe Evropiani i Francës, kjo nuk të garanton asgjë, ndaj edhe trajneri Joakim Lëv ka nisur procesin e rifreskimit të skuadrës. Përtej rezultatit 3-2 ndaj Australisë, që në fakt nuk pasqyron aspak atë që ndodhi në fushën e blertë, Gjermani dha shenja premtuese për atë që do të ofrojë në Botërorin e vitit të ardhshëm. Një skuadër ku vetëm 2 nga 11 titullarët ishin në ekipin e “Brazil 2014”, ndërsa 7 të tjerë kishin luajtur deri dje me fanellën e përfaqësueses një numër ndeshjesh që mund të numërohen me gishtat e njërës apo tjetrës dorë, tregoi një disiplinë të admirueshme taktike në fushë e blertë, një kapacitet të pasur teknik dhe fizik dhe tregoi se ka ende shumë më tepër për të dhënë. Natyrisht, pësimi i dy golave nxorri në pah mangësi në mbrojtje, por që erdhën për shkak të mungesës së përvojës dhe përqendrimit. Antonio Rudiger, Sebastian Rudi, Lars Shtindl, Sandro Vagner, Timo Verner, por sidomos Juliand Brandt dhe Leon Goretzka janë emra që duket se do t’i dëgjojmë gjithnjë e më tepër gjatë vitit në vijim, me mundësinë për të shpërthyer në Botërorin e vitit të ardhshëm. Sepse kjo Gjermani “bebe” premton të rritet shpejt.

Sicred