KRYEFAQJA » LAJME » Gëzim Podgorica me refleksione nga udhëtimet në Kinë
Gëzim Podgorica me refleksione nga udhëtimet në Kinë

Gëzim Podgorica me refleksione nga udhëtimet në Kinë

Refleksionet dhe mbresat nga udhëtimet në Kinë, në këtë univers të madh të historisë, kulturës dhe zhvillimit të gjithëanshëm, gazetari Gëzim Podgorica i ka përmbledhur në librin e tij të sapobotuar : “Kina një gravitet i epokës së re”.
Autori i ka parë dhe realizuar në disa këndvështrime shkrimet e tij, përmes të cilave ai ndalet jo vetëm në hopin e madh të zhvillimit ekonomik e teknologjik që ka realizuar Kina në këtë fillim shekulli si rezultat i politikës së hapjes, por edhe në historinë e lashtë që përbën themelet e qytetërimit të Lindjes së largët dhe atij botëror. Projektet e mëdha me vlerë globale si “Rruga e mëndafshit”, janë trajtuar nga autori duke u marrë që thellë nga historia për të ardhur deri tek puna dhe angazhimet e mëdha të ditëve të sotme, si dhe në ritmet në të cilat po punohet për implementimin e tyre.
Në libër i është kushtuar një vend me rëndësi edhe marrëveshjeve që janë realizuar me institucionet mediatike të Kinës, veçanërisht me Radiotelevizionin kinez dhe radion e jashtme të Kinës, në të cilat zoti Podgorica ka qënë protagonist. Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të ATSH, autori ka nënshkruar marrëveshje edhe me CRI, së cilës i ka kushtuar vëmendje, pasi bashkëpunimi me këtë institucion shumë të rëndësishëm i ka dhënë një dimension të ri komunikimit mediatik midis dy vendeve.
Qytetet Pekin, Nankin, Suzhou, Hefei, Wuhan, Luanzhou, Shanghai, Chengdu e të tjerë kanë lënë normalisht mbresa shumë të veçanta tek autori, i cili i ka sjellë ato përmes trajtesash që lidhen jo vetëm me ritmet marramandëse të zhvillimit, por edhe inspirimit që të shkaktojnë për historinë e lashtë, traditat e veçanta në shumë fusha, figurat e shquara të një rrezatimi mbarëbotëror. Në faqet e librit ndeshesh edhe me jetën përtej punës dhe ekonomisë, historisë dhe kulturës, pasi zë vend edhe kuzhina e pasur kineze, por edhe jeta e natës dhe klubet plot gjallëri që rinia e sotme kineze i jep dritë dhe ngjyrë.
Libri është botuar nga Instituti i Trashëgëmisë kulturore dhe Turizmit me mbështetjen e CRI dhe do të jetë në stendat e panairit të librit që do të hapet këto ditë në Tiranë.

Sicred