KRYEFAQJA » LAJME » Gamova: Shqipëria, mikpritje dhe organizim i shkëlqyer i evropianit

Gamova: Shqipëria, mikpritje dhe organizim i shkëlqyer i evropianit

Evropiani i Nën-19-vjeçareve në volejboll për femra ka sjellë në Shqipëri ajkën e talenteve të rrjetës kontinentale, por edhe një numër personalitetesh të këtij sporti. Njëra prej tyre është edhe dy herë kampionia e botës dhe dy herë nënkampionia olimpike, rusja Jekaterina Gamova. Duke folur ekskluzivisht për Rrjetin Radio-Televizionit Shqiptar, Gamova vlerëson mikpritjen që Shqipëria i ka bërë kësaj veprimtarie madhore evropiane. “Më ka pëlqyer me të vërtetë Shqipëria dhe ishte një përvojë e këndshme që jam këtu. Organizimi nga ana e Shqipërisë i këtij Evropiani ka qenë mjaft i mirë, sidomos duke patur parasysh se është hera e parë që ju mirëprisni një eveniment të tillë” tha Gamova.
Dy herë kampionia e botës dhe dy herë nënkampionia olimpike, beson se Rusia i ka të gjitha mundësitë ta mbrojë kurorën e më të mirës së kontinentit. ” Skuadra jonë ka luajtur shumë mirë deri më tani dhe shpresoj që ta ruajmë këtë ritëm edhe në ndeshjet e fundit, pra gjysmëfinale dhe finale. Ne kemi parë një Kampionat Evropian mjaft të fortë deri më tani. Si kampionë në fuqi, ne synojmë finalen, por do të shohim se si do të shkojnë gjërat deri në fund” tha Gamova.
Pas 3 ndeshjesh, Rusia kryeson grupin e dytë, që po i luan ndeshjet në Tiranë, me pikë të plota 9, ashtu sikundër Italia kryeson grupin e parë, që po i luan ndeshjet në Durrës.

Sicred