KRYEFAQJA » LAJME » Futboll, Tirana fiton kokëulur Kupën e Shqipërisë

Futboll, Tirana fiton kokëulur Kupën e Shqipërisë

Tirana fiton e Kupën e Shqipërisë në futboll, por nuk ngushëllohet për sezonin më të dështuar në historinë gati 100 vjeçare të klubit bardheblu, që përfundoi me rënien e tij në kategorinë e parë.
Bardheblutë mundën në finale skuadrën e Skënderbeut me rezultatin 3-1, pas kohës shtesë 2 herë nga 15 minuta. Kjo është e 16-ta herë që Tirana fiton këtë trofe të rëndësishëm.
Takimi më shumë se një ndeshje futbolli, ishte shfaqje e një marrëdhënieje shumë të dhimbshme mes tifozëve të zjarrtë të dëshpëruar shumë me ekipin e tyre të zemrës. Në minutën e 24-t ata bojkotuan stadiumin duke kujtuar 24 titujt kampion që ekipi i tyre ka fituar nga Tirana. Edhe goli i shënuar nga Edeh në minutën e 20 të sfidës nuk i ngushëlloi tifozat fanatikë të cilët e larguan futbollistin ndonëse ai shkoi të festonte. Ndeshja nisi me protestën e paralajmëruar të tifozëve bardheblu, që u bë e dukshme dhe me parrullën drejtuar me ironi presidentit Halili.
Sa për histori, Tirana e nisi mirë sfidën dhe goli i shënuar nga Edeh i gjallëroi disi bardheblutë të cilët kontrollojnë Skënderbeun në gjysëmfushën e tyre dhe organizojnë kundërsulme, por pa arritur të gjejnë golin e sigurisë.
4 minuta nga fundi takimit Radas i Skënderbeut vendos ekuilibrin pas një goditje dënimi që shtang portierin Lika dhe çon ndeshjen në shtesë. Në minutën e 103-të pas një aksioni nga djathta Mervielle arrin të dërgojë topin në zonë, aty Shehi grushton duke çuar topin tek Moise që me portën e boshatisur nuk gabon.
Ndërsa goli i trete erdhi në minutën e 114 kur Merveille ekzekutoi 11 metershin e fituar nga Daja, e më pas shperthen në lot.
Tirana rikthehet tek fitimi një trofeu pas pesë vitesh mungesë dhe sërisht ndaj Skënderbeut, duke u bërë ekipi i parë që do të luajë njëkohësisht në Kategorinë e Parë dhe në Europa Ligë. Ndërsa për Skënderbeun Kupa e Shqipërisë mbetet ende një “Mollë e ndalume”.

Sicred