KRYEFAQJA » LAJME » Futboll: Maqedoni – Shqipëri, në Strumicë “për arsye sigurie”
Futboll: Maqedoni - Shqipëri, në Shtrumicë "për arsye sigurie"

Futboll: Maqedoni – Shqipëri, në Strumicë “për arsye sigurie”

Në një spot promocional për turizmin në Maqedoni, ndër të tjera, bëhet e ditur se Shkupi është vetëm 297 km nga Porti i Durrësit, porti më i madh në Shqipëri. Por kjo duket se është vetëm për të joshur turistët e huaj. Të bën përshtypje ky fakt, kur mëson se ndeshja e shtatorit midis Maqedonisë dhe fqinjit të saj Shqipërisë, të dyja pjestare të Grupit G në takimet për Botërorin “Rusia 2018”, është vendosur të luhet në Stadiumin “Mladost” të Strumicës. Çdokush mendonte se ai do të luhej  në Shkup,  në impiantin modern “Filipi i 2-të”.
Shtrumica është një qytet i vogël në juglindje të Maqedonisë, në afërsi të kufirit me Greqinë dhe Bullgarinë, me afro 100 mijë banorë. Stadiumi i Strumicës, është ndërtuar në mesin e shekullit të kaluar dhe ka një kapacitet prej rreth 6500 personash. Shumica e banorëve të këtij qyteti, 92 përqind janë me origjinë maqedonase, 6.8 përqind turq, dhe pjesa e mbetur, pak më shumë se 1 përqind u përkasin kombësive të tjera.
Takimi Maqedoni – Shqipëri mund të rezultojë përcaktues për Shqipërinë në vendin e 3-të në një grup me 4 herë kampionen e botës, Italinë, dhe një herë kampionen e botës, Spanjën.  Ndaj për këtë arsye vendimi i autoriteteve maqedonase që Maqedoni- Shqipëri të luhet në Strumicë, ka shtangur edhe vetë Federatën Shqiptare të Futbollit. Në një sqarim zyrtar bëhet e ditur se “Nisur edhe nga rethanat e një ndeshje delikate, UEFA ngriti një grup inspektimi të sajin për të parë edhe stadiumin e Strumicas, një impiant që nuk përputhet aspak për standartet ndërkombëtare të zhvillimit të ndeshjes eliminatore zyrtare”, – shkruhet ndër të tjera në sqarimin e organizmit që qeveris futbollin shqiptar. Sipas FSHF “Në konfirmin e tyre të mëvonshëm, si dhe pas inspektimit të grupit të punës, UEFA vendosi që për arsye sigurie ndeshja zyrtare eliminatore e shtatorit MAQEDONI-SHQIPËRI të luhet në stadiumin e Strumicas, dhe jo në Shkup, pasi në argumentin e tyre, ata kishin më shumë primare garancinë e sigurisë për tifozët, gjë për të cilën ishin më shumë të sigurtë në Shtrumicë, se sa në Shkup, në stadiumin “Filipi i 2-të”. Dhe për këtë ajo ka marrë garancitë përkatëse.”
FSHF ndërkaq i është drejtuar vetëm para pak ditësh Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, më pas edhe Drejtorisë për Sigurinë e Stadiumeve në UEFA.
Komentet në Tiranë e vlerësojnë si të qëllimishëm caktimin e Stadiumit të Strumicës për takimin Maqedoni-Shqipëri. Shumëkush ka shtruar pyetjen se si stadiumi modern “Filipi i 2-të” në Shkup, një stadium me standarte evropiane, me rreth 34.000 vende, nuk i përmbush dot kërkesat e organizmit që qeveris futbollin kontinental, për sigurinë e tifozëve, ndërsa stadiumi lokal i Strumicës po. Komentatorët kanë shënuar edhe faktin se Shqipëria do të ketë të drejtën e vetëm 325 biletave, nga 6500 vende që ka stadiumi.
Natyrisht, caktimi i stadiumit është e drejtë ekskluzive e vendit mikpritës dhe nuk është sekret që zgjidhet një stadium sa më pak i volitshëm për kundërshtarin. Por zgjedhja e një stadiumi të tillë për një ndeshje ndaj Shqipërisë, të sjell ndërmend incidentet e 2011-tës apo edhe më herët në Prilep, ku nuk munguan koret raciste anti-shqiptare.

Sicred