KRYEFAQJA » LAJME » Futboll, Legjionarët, Eros Grezda, titullar në fitore

Futboll, Legjionarët, Eros Grezda, titullar në fitore

Futbollisti i Kombëtares kuqezi, Eros Grezda, mendon se ndryshe nga Kroacia, ku luhet futboll teknik, në Skoci luhet një futboll më fizik, por që sidoqoftë i shkon për shtat atij. Grezda e ka nisur si titullar dhe ka luajtur për 55 minuta, por ka qenë i pafat, pasi vetëm shtylla i ka mohuar golin në fitoren 2-0 që skuadra e tij, Gllasgou Rejnxhërs ka arritur në fushën e St. Mirrënit. Megjithatë, për Eros Grezdën, e rëndësishme ishte fitorja.
“E shijova që luajta me ekipin. Ishte pak e vështirë për shkak të shiut dhe erës së fortë, por në fund ishte shumë e rëndësishme që morëm tre pikët. Kundërshtarët u mbrojtën mirë, por pas goli të parë loja u bë më e lehtë. Ishte një pjesë e parë e vështirë, edhe e dyta gjithashtu. Duhet të gjenim shumë hapësira dhe arritëm ta bënim” tha Grezda.
Futbollisti i Kombëtares kuqezi ka folur edhe për ndryshimin midis të luajturit në Kroaci dhe të luajturit në Skoci. “Midis futbollit në Kroaci dhe këtij në Skoci ka disa ndryshime. Në Kroaci luhej më shumë teknikisht ndërsa këtu ka më shumë agresivitet dhe shpejtësi. Skocia është më mirë për mua” tha Grezda.
Pas fitores 2-0 në fushën e St. Mirrënit, Gllasgou Rejnxhërs mban vendin e 4-të në renditjen e Premier Ligës Skoceze, me 21 pikë, 5 më pak sesa Hartsi i vendit të parë, që sidoqoftë ka luajtur një ndeshje më tepër.

Sicred