KRYEFAQJA » LAJME » Futboll, Kukësi shpallet kampion dhe hyn në histori
Futboll, Kukësi shpallet kampion dhe hyn në histori

Futboll, Kukësi shpallet kampion dhe hyn në histori

Ekipi i futbollit i Kukësit ka hyrë në histori. Ndonëse është krijuar në vitin 1930, vetëm këtë vit ai është shpallur kampioni i Shqipërisë në futboll në sezonin 2016-2017. Ekipi me presidentin e apasionuar Safet Gjici, i drejtuar mjeshtërisht  nga trajneri Ernest Gjoka gjunjëzoi 2-0 Skënderbeun e Korçës, kampion në fuqi, duke siguruar titullin një javë para përfundimit të kampionatit. Kroati Pero Pejiç u kthye në hero pasi shënoi dy gola duke çuar në delir tifozerinë kuksiane.
Takimi pati momente të vështira. Korçarët që në fillim u ndëshkuan me karton të kuq pasi arbitri Jorgji nxorri nga loja Micin i cili ndaloi forcërisht Pejiçin ndërsa ky ishte vetëm për vetëm me portierin. Penalltia e dhënë u kthye në gol nga vetë Pejiçi.
Në fillim të pjesës së dytë lojtarët e Skenderbeut kërkuan me ngulm një 11 metërsh, por arbitri Jorgji i dha kartonin e kuq Osmanit. Një moment i lartë tensioni u shënua kur Salihi arriti ti griste kartonin e kuq gjyqtarit.
Vazhdimi i mëtejshëm ishte mjaftë i tensionuar. Korçarët bënë përpjekje maksimale, por mbrojtja kuksiane ishte solide. Dhe në minutat shtesë ishte sërish Pero Pejiç që me golin e tij të dytë në takim, ka shënuar edhe fillimin e festës në Kukës.