KRYEFAQJA » LAJME » Antalia, Kukësi humbet edhe miqësoren e dytë

Antalia, Kukësi humbet edhe miqësoren e dytë

Kukësi nuk ka mundur të fitojë as miqësoren e dytë. Gjatë qëndrimit në Antalia, teksa po kryen fazën përgatitore, skuadra kuksiane ka patur kundërshtar këtë radhë Kairat Almati. Skuadra kazake ka fituar 1-0 falë golit të realizuar nga Vorogoski. Por Kukësi ka patur mundësinë të kalojë i pari në avantazh, kur që në minutën 8-të të takimit Dvornekoviç fiton një 11-metërsh. Nga pika e bardhë gjuan Pero Pejiç, por topi godet shtyllën pingule. Kazakët të udhëhequr nga Arshavin dhe Bajrazhan dhurojnë spektakël në fushë, por mbrojtja e Kukësit është e pakalueshme. Trajneri Ernest Gjoka aktivizon edhe Aneikan Favur, ish-futbollistin e Milanit, i cili iu bashkua skuadrës gjatë ditëve të qëndrimit në Antalia. Nigeriani ndërmerr disa sulme nga krahu i djathtë por pa mundur të finalizojë. Trajneri Gjoka, në fund të takimit ka mbetur i kënaqur nga loja e skuadrës së tij, por ka kërkuar nga futbollistët që të jenë më kërkues para portës. Ndeshja e radhës për Kukësin është ajo ndaj Neftçi Baku. Humbje ka pësuar edhe Tirana, që është mundur 2-0 nga skuadra tjetër kazake Akzhajik.

Sicred