KRYEFAQJA » LAJME » Futboll femra, vendimi për Vllazninë më 15 shtator

Futboll femra, vendimi për Vllazninë më 15 shtator

15 shtatori pritet të jetë dita e gjykimit për çështjen e PAOK-ut të Selanikut, vendim nga i cili varet edhe fati i pjesëmarrjes së kampiones së Shqipërisë në futboll për femra, Vllaznisë, në turin e 32-shes së Ligës së Kampioneve. Shkodranet ishin shumë pranë kalimit të fazës së grupeve, pasi dy fitoreve, 1-0 ndaj FK Sarajevës dhe 2-0 ndaj Betemburgut, por kanë vijuar ta humbin ndeshjen më të rëndësishme, atë me PAOK-un e Selanikut. Megjithatë, pas ndeshjes është mësuar se skuadra greke ka futur në fushë në ndeshjen e parë me, një lojtare me identitet të rremë. Një gjë e tillë është vënë në dukje nga klubi shqiptar dhe greket nuk e kanë aktivizuar lojtaren në fjalë në ndeshjen me Vllazninë, ndonëse e kishin në protokoll. Për këtë qëllim, drejtuesit e klubit kuqeblu të futbollit të femrave patën paraqitur një ankesë zyrtare pranë UEFA-s. Ankesë të cilën e kanë shoqëruar edhe me një dosje të hollësishme ku çdo gjë është ilustruar madje me foto. Shkodranet pretendojnë se lojtarja Eleni Janu, 23 vjeç, nuk ka udhëtuar me skuadrën greke, për shkak të një dëmtimi, por në vendin e saj, me emrin dhe dokumentancionin e saj, në ndeshjen e parë me skuadrën luksemburgase, ka luajtur 18-vjeçarja Krisa Tsakiri, e cila, në ndeshjen me Vllazninë është dërguar fillimisht në tribunë e më pas është larguar nga stadiumi nga drejtuesit e skuadrës selanikase. Ndëshkimi i mundshëm i grekeve nënkupton se është Vllaznia ajo që kualifikohet për më tej në fazën tjetër të Ligës së kampioneve në futboll për femra. Burime zyrtare pranë klubit shkodran kanë sqaruar për Televizionin Shqiptar, se UEFA supozohej ta shqyrtonte çështjen të premten, por zyrtarët e saj kanë kërkuar më tepër kohë për mbledhjen e të gjithë fakteve dhe është bërë e ditur se vendimi do të merret më 15 shtator. Faza e grupeve u mbyll dhe shkodranet u renditën të dytat, me 6 pikë, 3 më pak sesa PAOK-u i Selanikut, i cili u kualifikua për më tej dhe kanë qenë midis skuadrave që u përzgjodhën në shortin e turit të turit të 32-shes, i cili, sikundër edhe turet e tjera në vijim, deri në finalen e madhe të 24 majit të vitit të ardhshëm në Stadiumin “Valeri Lobanovski” të Kievit, do të zhvillohet me sistem eliminimi vajtje-ardhje.

Sicred