KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Fushë-Arrëzi, qyteza e braktisur ku varfëria ulet këmbëkryq

Fushë-Arrëzi, qyteza e braktisur ku varfëria ulet këmbëkryq

Qytetarët e Fushë – Arrëzit prej vitesh po përballen me papunësi dhe gjendje të vështirë ekonomike. Pas 27 vitesh kur një prej industrive më të mëdha të përpunimit të drurit dhe prodhimit të mobiljeve në vend pushoi së funksionuari, shumë specialistë dhe punonjës të kësaj ndërmarrjeje e braktisën qytezën. Sipas banorëve të Fushë-Arrëzit, atë kohë numëroheshin mbi dymijë punëtorë, duke bërë që kjo qytezë të ishte ndër të paktat e veriut të Shqipërisë, ku në çdo familje me tre-katër anëtarë, dy prej tyre të ishin të punësuar në shtet. Gazetari Norel Zaimaj, që vizitoi së fundi qytezën thotë se ajo e ka patur zanafillën rreth 6 dekada më parë, kur u ndërtua si zonë industriale, por sot varfëria atje është ulur këmbëkryq. Në qytet shihet qartë gjendja e papunësisë kur edhe vetë banorët shprehin vështirësitë që po kalojnë.
“Qyteti nuk mund të jetojë pa fabrikën se këtu kanë ikur të gjithë familjarët” thotë një banor i Fushë Arrëzit. Ai tregon pallatet me apartamente bosh dhe thotë se njerëzit kanë ikur pasi nuk kanë patur punë. “Qyteza duket sikur është në vitin 1945 kur ka nisur të popullohet” thotë ai.
Një tjetër banor i Fushë Arrëzit shpreh keqardhjen që shumë specialistë të prodhimit të drurit kanë mbetur pa punë ose janë larguar. “Kemi mbetur vetëm dy ose tre marangozë, të tjerët janë larguar” shton një miku i tij.
Nëse ndërtimi i “Rrugës së Kombit” ka qenë shpëtimi i zonës verilindore, për Fushë Arrëzin ka qenë një fatkeqsi. “Kemi ngelur si peshku pa ujë pasi askush nuk kalon më këtej” thotë një tjetër banor. “Po me se jetoni?” pyet gazetari. “Me pak tokë, ndonjë lopë dhe asgjë” është përgjigjia. Me mbylljen e fabrikës së pasurimit të bakrit, përpara tri vitesh, jeta industriale e qytetit u shua plotësisht. Më herët, qysh pas vitit 1991, të gjitha ndërmarrjet dhe parku i automjeteve, u mbyllën, njëra pas tjetrës. Sot, kudo që të hedhësh sytë, i sheh këto ndërmarrjet të përmendura më lart, të braktisura dhe të rrënuara.
Fran Tuci Kryetar i Bashkisë thotë se janë 700 persona me ndihmë ekonomike në Fushë Arrëz. Sfida më e madhe për ne është punësimi i njerëzve, thotë ai ndërsa permend ndërmarrjet që tashme janë mbyllur.
Në qytezën e Fushë-Arrëzit jetojnë më pak se dy mijë banorë, një pjesë e madhe e të cilëve mbajnë frymën me përkrahje sociale, apo të ardhura që u vijnë nga emigracioni. Ndërsa mundësitë e punësimit dhe perspektivës së zhvillimit duken të pamundura.

Sicred