KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Furrat e bukës nga 1 Shtatori do të paguajnë çmime të diferencuara
Furrat e bukës nga 1 Shtatori do të paguajnë çmime të diferencuara

Furrat e bukës nga 1 Shtatori do të paguajnë çmime të diferencuara

Nga 1 Shtatori furrat që prodhojnë bukë dhe ëmbëlsira apo kanë bazë frigoriferike do ta paguajnë energjinë elektrike me dy fasha. Kjo është zgjidhja për të cilën ka rënë dakord pas shumë muajsh Shoqata e Prodhuesve të Bukës dhe Pastiçerisë me Entin Rregullator të Energjisë. Kryetari i kësaj shoqate, Gëzim Peshkëpia thotë se palët ranë dakord që këto subjekte të kenë dy matësa të energjisë dhe të paguajnë çmime të diferencuara, përkatësisht 7.6 lekë për kilovat-ore për prodhimin e bukës dhe 14 lekë për kilovat për pastiçerinë.

Në Shqipëri numërohen rreth 4 mijë subjekte të cilat ushtrojnë aktivitetin e prodhimit të bukës. Aktualisht, këto subjekte kanë një çmim energjie të reduktuar prej 7,6 lekësh për kilovat/orë, të vendosur nga Enti Rregullator i Energjisë. Por, për furrat që kanë pajisje frigoriferike, apo tregëtojnë embëlsira apo produkte të tjera, atëherë OSSHEE faturon një çmim energjie prej 14 lekësh për kilovat orë, që është sa dyfishi i tarifës së furrave të bukës. Ndaj në muajin Prill, Shoqata e prodhuesve paralajmëroi rritje të çmimit të bukës, pasi kërkonin çmim të reduktuar edhe për këtë kategori. Pas 4 muajsh diskutimesh, palët ranë dakord për tarfimin me dy fasha.