KRYEFAQJA » LAJME » Fundjava e legjionareve të rrjetës kuqezi të femrave

Fundjava e legjionareve të rrjetës kuqezi të femrave

Ka qenë një fundjavë kryesisht e kënaqshme kjo për volejbollistet shqiptare që militojnë në kampionatet e vendeve të ndryshme të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Midis tyre spikati padyshim pasuesja e Kombëtares kuqezi, Sindi Marina, e cila ka korrur dy fitore brenda 48 orësh me skuadrën e saj të Universitetit të Kalifornisë Jugore, në kampionatin amerikan të volejbollit të kolegjeve. Në dy takimet e zhvilluara në shtëpinë e saj, në “Galen Center”, skuadra e 19-vjeçares shqiptare ka triumfuar fillimisht në 4 sete (25-20, 21-25, 25-19, 25-18) të premten e 3 nëntorit ndaj Arizona Stejtit. Marina dha 19 pasime të sakta për pikë, ndërsa priti me sukses 9 topa, si dhe shënoi një pikë nga 5 pikët që skuadra e saj realizoi direkt nga shërbimi. Ndërsa të dielën e 5 nëntorit, skuadra e lojtares së Kombëtares kuqezi të volejbollit të femrave, ka fituar me përmbysje në 5 sete (25-20, 23-25, 24-26, 25-22, 15-11) ndaj skuadrës tjetër të Arizonës, “Arizona Kets”. Në këtë sfidë, Sindi ishte edhe më vendimtare, duke eklipsuar madje edhe pasuesen veterane të skuadrës, Reni Mejer-Uollejn, pasi shqiptaro-amerikania dha 28 pasime të sakta për pikë, kundrejt 24 të shoqes së saj të skuadrës, duke pritur 9 topa, 4 më tepër sesa pasuesja tjetër, si dhe duke shënuar 3 pikë direkt nga shërbimi. Ndërkaq, edhe volejbollistja tjetër e Kombëtares kuqezi, Erblira Bici, e cila militon në nivelin e dytë të kampionatit italian të femrave, ka patur një paraqitje të mirë. Ndonëse skuadra e saj është mundur në 5 sete (18-25, 25-17, 16-25, 29-27 dhe 15-11) në ndeshjen e javës së 6-të, më 1 nëntor përballë Kasertas, 22-vjeçarja ka realizuar plot 24 pikë, hera e dytë për të që arrin një shifër të tillë këtë sezon. Ndërkaq, të dielën, volejbollistja 1  metër e 86 cm e lartë ka shkëlqyer edhe në ndeshjen e javës së shtatë, ku skuadra e LPM Mondovisë ka fituar 3-1 (25-18,18-25, 23-25 dhe 23-25) në fushën e Barrikala Kolenjo Volejit. Bici ka realizuar 20 pikë në këtë takim, ndërsa duhet theksuar se për skuadrën kundërshtare ka luajtur një tjetër volejbolliste shqiptare, Roneda Vokshi, e cila, ndonëse është aktivizuar pak në setin e dytë dhe të 4-t, ka realizuar 4 pikë. Një tjetër volejbolliste shqiptare, Sava Thaka, ka qenë shënuesja më e mirë e skuadrës së saj, BK 97 Stovas, në humbje 0-3 në javën e 8-të të kampionatit sllovak, me 11 pikë të realizuara.

Sicred