KRYEFAQJA » LAJME » FSHF: Tifozët e ILLYRIAN ELITE veprime ekstremiste në “Renzo Barbera”
FSHF: Tifozët e ILLYRIAN ELITE veprime ekstremiste në "Renzo Barbera"

FSHF: Tifozët e ILLYRIAN ELITE veprime ekstremiste në “Renzo Barbera”

Federata Shqiptare e Futbollit ka kërkuar ndjesë dhe ka dënuar me forcë ato që i ka cilësuar “akte të shëmtuara dhe aspak sportive” të ndodhura të premten në mbrëmje në stadiumin “Renzo Barbera”” gjatë takimit Itali- Shqipëri e vlefshme për eleminatoret e Rusi 2018. Sipas saj këto akte sollën ndërprerjen e ndeshjes dhe rrezikuan ndjeshëm pezullimin e saj. FSHF e ka vënë gishtin e fajit ndaj grupimit të tifozëve ILLYRIAN ELITE. “Këto veprime tërësisht ekstremiste nga grupimi ILLYRIAN ELITE nuk kanë aspak lidhje me tifozët e shkëlqyer shqiptarë” reagon FSHF. Sipas saj “ajo ngjarje cënoi rëndë imazhin fantastik të tifozëve tanë të cilët gjithmonë kanë qenë në mbështetje të skuadrës duke ndjenjur afër saj me korrektesi dhe si një lojtar i 12-të për këtë ekip” vlerësohet në deklaratë. “FSHF nuk pajtohet kategorikisht me një anti-sportivitet të tillë në stadiumin e Palermos dhe njëherësh i transmeton skuadrës, kolegëve, tifozëve dhe mbarë qytetarëve italianë ndjesën e saj të sinqertë për incidentin e shëmtuar duke cënuar standartet, duke garantuar që episode të tilla të izoluara nuk mundet kurrsesi të lekundin raportet e miqësive tona të përbashkëta mes dy popujve”, vazhdon më tej deklarata e FSHF.
Duke kujtuar se tifozeria shqiptare ishte tifozeria më e paqtë e Evropianit dhe kudo që kishte shqiptarë kishte festë, Federata Shqiptare e Futbollit duke u distancuar tërësisht nga veprimet e ndodhura në stadiumin “Renzo Barbera”, që ajo i konsideron “krejtësisht të papranueshme” ka vendosur të mos japë dhe të mos shpërndajë më asnjë biletë për në stadium, anëtarëve të grupimit ILLYRIAN ELITE, të cilët goditën imazhin e mrekullueshëm që prodhoi në Europian tifozeria dhe qytetaria shqiptare. FSHF ka vendosur që të gjithë ata tifozë që janë rregjistruar në emër të këtij grupimi në FAN CLUB-in Tifozët e Kombëtares në FSHF, nuk do të jenë më pjesë e këtij Fan Club-i. “Askush nuk mund ta njollosë këte imazh as tani dhe në asnjë moment. Nderi dhe emri i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve vlejnë më shumë se çdo gjë tjetër” përfundon deklarata e FSHF.
Ndërkohë, skenat e shëmtuara që çuan edhe në ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes midis Italisë dhe Shqipërisë, kanë patur padyshim autorë dhe autoritetet italiane kanë nisur të arrestojnë dhe të ndalojnë tifozët që prishën ndeshjen. Sipas mediave italiane, është arrestuar menjëherë gjatë ndeshjes një tifoz shqiptar, i cili po hidhte fishekzjarrët, ndërsa më pas janë identifikuar edhe 77 mbështetës të tjerë të Shqipërisë të cilët janë në kërkim pasi ndiqen penalisht.

Sicred