KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Fshati “Abai”, një histori ndarjeje dhe dhimbjeje

Fshati “Abai”, një histori ndarjeje dhe dhimbjeje

Pak më poshtë zonës së demilitarizuar që ndan dy Koretë, janë të paktë refugjatët koreanoveriorë që jetojnë sa më pranë të munden vendlindjes së tyre, por do të bëjnë tifozllëk për Korenë e Jugut në Lojërat Dimërore të shkurtit. Gjatë dhe pas Luftës Koreane, mijëra njerëz që u larguan nga Veriu, u vendosën në gadishullin e Çeong-ho-dong-ut, një nga portet e pashkimit më veriore të Koresë së Jugut. Kjo zonë u njoh më pas si Fshati “Abai”, pas fjalës “gjysh” në dialektin verior të rajonit të Hamg-jongut, prej nga erdhën shumë prej tyre. Sportistë nga Koreja e Veriut do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në Pjongçeng, vetëm një orë larg nga Çeong-ho-dongut, në një hap të rrallë përpara në marrëdhëniet ndërkoreane përtej ambicieve bërthamore të Pjong-jangut. Por, ndërsa numri i të ardhurve të parë në Abai ndjen ende një lidhje të fortë me Veriun, ku shumë lanë pas familjet, ata tanimë identifikohen si koreanojugorë, pasi kanë shpenzuar shumicën e jetës së tyre në gjysmën demokratike të Gadishullit. “Ne duhet ta mbështesim skuadrën tonë, sepse unë jam koreanojugor”, – thotë Huang Seung-Huan, 81 vjeç, i cili erdhi këtu si djalosh afro 7 dhjetëvjeçarë më parë. Shoku i tij, Kim Kun-Uuk, 83 vjeç, shtoi: “Natyrisht që jetoj këtu dhe do të mbështes Korenë e Jugut.” Kimi u arratis nga Veriu në një ditë të ftohtë dimri më 1950-ën, teksa ishte vetëm 16 vjeç, që të mos luftonte për ushtrinë komuniste të Kim Il-Sungut, duke u ngjeshur në një varkë druri së bashku me vëllain e madh, babain dhe rreth 50 veta të tjerë. Si shumë të tjerë, edhe Kimi mendoi se Lufta do të mbaronte brenda pak javësh dhe ata do të ribashkoheshin me nënën dhe fëmijët e tjerë në qarkun e Honguonit, në provincën e Hamg-jongut të Jugut. “Por u firmos armpushimi dhe unë nuk mund të kthehesha më,” rrëfen Kimi, tanimë një shofer në pension, duke folur për AFP-në. “Unë jam ende këtu dhe tanimë jam gjysh.” Lufta Koreane përfundoi me një armpushim dhe jo me një traktat paqeje, duke i lënë të dy Koretë teknikiksht në gjendje lufte dhe gadishulli ndahet nga një Zonë e Demilitarizuar (DMZ), prej 240 kilometrash. Përtej çative shumëngjyrëshe, shtëpitë e vogla të fshatit Abai kanë ndryshuar pak që nga ajo kohë. Plazhet me rërë e kanë shndërruar këtë fshat në një destinacion të preferuar turistik të fundjavës së koreanojugorëve dhe rrugicat e tij të ngushta janë të mbushura me restorante që shërbejnë ende gatimet tradicionale të zonës së Hamg-jongut në Korenë e Veriut. Huangu flet me krenari për Vonsanin, 146 kilometra më në Veri, përtej DMZ-së, si “qyteti më i mirë portual”. Por, pa komunikim civil midis dy Koreve, fshatarët nuk kanë mundur kurrë të kontaktojnë me të afërmit e tyre, e jo më t’i vizitojnë ata. Të moshuarit flasin me hidhërim për dhjetëvjeçarë të tërë konfrontimi dhe shpresojnë që pjesëmarrja e Koresë së Jugut në Olimpiadën Dimërore të ndryshojë diçka. Përtej provave me raketa të Pjong-jangut dhe atmosferës së tensionuar ndërkombëtare, lideri Kim Jong-Un propozoi dërgimin e sportistëve nga Veriu në Lojërat Olimpike të Jugut, duke i dhënë shtysë një dialogu ndërkorean. “Ne jemi të njëjtët njerëz, – thotë Kim Kun-Uuku. – Do të ishte zhgënjyese nëse ata nuk do të merrnin pjesë. Ata janë ngjitur me Korenë e Jugut dhe vetëm një vijë na ndan. Pse të mos vijnë?” Përveç sportistëve, qindra delegatë të tjerë koreanoveriorë, artistë, valltarë dhe gazetarë, do të vijnë në Olimpiadë. Kjo mund të jetë një mundësi për koreanoveriorët të shikojnë diçka nga jeta në Jug, thotë Huangu, dhe të vendosë një lloj kontakti midis qytetarëve në të dy anët e kufirit. “Mendoj se mund të hapë një derë që ka mbetur e mbyllur deri tani”, – thotë ai me shpresë, Një derë nëpër të cilën Kimi mezi pret të kthehet një ditë. “Do të ishte mirë nëse do të jetoja në qytetin tim të lindjes, pavarsisht nëse jam i pasur apo i varfër, duke e hedhur vështrimin tek ai plazh i vjetër, – thotë ai me mall teksa sjell ndërmend kujtimet e fëmijërisë. – Ajo kodra e vogël, plazhi dhe dy malet nëpër të cilët do të ngjitesha gjithmonë dhe të luaja. Do të ishte bukur të jetoja atje. Më mungon gjithnjë e më tepër teksa i afrohem fundit të jetës sime. Madje mendoj sesa mirë do të ishte të varrosesha në vendin tim të lindjes.”

Sicred