KRYEFAQJA » LAJME » Fruthi, çdo ditë një deri në dy raste

Fruthi, çdo ditë një deri në dy raste

Në Shqipëri ka raste me fruth. Shtyrja në kohë e vaksinës “MMR” që bëhet te bebet një vjeç, apo refuzimi i saj, kanë bërë që në vendin tonë të ketë raste me fruth, ndonëse jo në përmasat e një epidemie.

Sëmundja e Fruthit vashdon të qarkullojë në vend. Viti 2018 u mbyll me 1.376 raste, ndërkohë që vetëm javën e parë të janarit ka pasur raste të reja, kryesisht te fëmijët e vegjël nën 2 vjeç. Kjo situatë ka bërë që Shqipëria të rënditet në vendin e 6 në Europë për nga numri i të prekurve nga fruthi. “Deri në datën 8 janar janë evidentuar 9 raste pozitive me fruth. Këto raste, sidomos kohët e fundit, që nga muaji Nëntor, kur kurba e epidemisë ka rënë në mënyrë mjaft të ndjeshme, ne kemi raste në Tiranë dhe kryesisht të fëmijëve të moshave deri në dy vjeç”-deklaron shefja e Epidemiologjisë në ISHP Silva Bino.

Gjendur përballë kësaj situate Instituti i Shëndetit Publik ka udhëzuar mjekët e konsultorëve të njoftojnë prindërit që vaksina e MMR të bëhet jo më në moshën 12 muajsh por më herët, 9 muajsh, pasi ajo që po vihet re është vënë një rënie e imunitetit që transmetohet nga nëna të bebja. “Fëmijët duhet të fillojnë vaksinimin në moshën 9 muajshe, por shohim që kjo gjë nuk po zbatohet. Nuk po zbatohet nga mjekët e konsultoreve, por nuk po zbatohet sidomos nga prindërit, të cilët dëgjojnë lloj-lloj sharlatanësh dhe nuk i vaksinojnë fëmijët kundrejt fruthit, ose përpiqen ta shtyjnë vaksinën e fruthit me frikën e autizmit. Unë e përsëris edhe njëherë se, bazuar në fakte shkencore dhe në të gjitha eksperiencat e vendeve, vaksina ndaj fruthit nuk shkakton autizëm”-vazhdon Bino.

Të gjitha rastet e reja janë nga Tirana dhe duket se vatër infeksioni është kthyer QSUT, ku bebet shkojnë në Urgjencë për të marrë shërbime shëndetësore për shkak të virozave. “Për shkak të virozave respiratore dhe të një dyndjeje që prindërit bëjnë në QSUT, pikërisht në Urgjencën e QSUT-së ku bëhet filtrimi i pacientëve, atje sëmuren fëmijët dhe transmetohet sëmundja e fruthit”-tha Bino.

Në të gjitha çerdhet dhe kopshtet është dhënë urdhër që të mos pranohet asnjë fëmijë i pavaksinuar ndërkohë që ISHP-ja bën thirrje për shmangje të vizitave në urgjencën në QSUT dhe ndjekje të sëmunshmërisë pranë qëndrave shëndetësore në lagje.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com