KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Franca ka ofruar të luajë rolin e ndërmjetësit mes Turqisë dhe kurdëve

Franca ka ofruar të luajë rolin e ndërmjetësit mes Turqisë dhe kurdëve

Franca ka ofruar të luajë rolin e ndërmjetësit në konfliktin në Sirinë veriore, ku Turqia ka ndërmarrë një ofensivë ushtarake kundër luftëtarëve kurdë. Ankaraja po lufton që të dëbojë milicinë kurde YPG, të cilën qeveria turke e konsideron si një zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.
Presidenti francez Emanuel Makron u takua dje me anëtarë të forcave demokratike siriane që dominohen nga kurdët, përfshi edhe YPG-në. Zoti Makron u shpreh se shpresonte për dialog mes Turqisë dhe milicisë. Sipas zyrës së shtypit të presidentit francez, ky i fundit vlerësoi sakrificat dhe rolin vendimtar të forcave demokratike siriane në luftën kundër grupit terrorist të shtetit islamik.
Ndërkohë, oferta franceze është refuzuar nga një zëdhënës i presidentit turk, sipas të cilit vendet duhet të mbajnë një qëndrim të qartë ndaj të gjitha llojeve të terrorizmit. Po sot, Turqia bëri të ditur se pesë ushtarë u vranë dhe gjashtë të tjerë u lënduar gjatë një sulmi të ndërmarrë nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit në provincën juglindore të Siirtit. Sulmi mendohet se është kryer për të marrë hak ndaj ofensivës turke në Sirinë veriore.

Sicred