Një deputet miliarder rus është nën hetim në francë pasi dyshohet se ka kryer evazion fiskal. Sulejman Kerimov, një nga njerëzit më të pasur të Rusisë, u arrestua mbrëmjen e së hënës në Nisë. Rusia kërkoi sqarim nga ambasada franceze në Moskë, si shenjë proteste për ndalimin e Kerimov, por miliarderi u lirua nën kushte të rrepta. – Do të zbatojmë të gjitha përpjekjet maksimale që të mbrojmë interesat e tij ligjore, – u shpreh një zëdhënës i Kremlinit, i cili gjithashtu argumentoi se zoti Kerimov gëzonte imunitet diplomatik, çka i vendos personat që gëzojnë këtë lloj imuniteti mbi ligjin e vendit në të cilin ata punojnë. – Është e rëndësishme që Sulejman Kerimov ka një pasaportë diplomatike, të cilën e përdori kur hyri në territorin francez, – vijoi zëdhënësi. Arsyeja e ndalimit të Kerimov nuk është konfirmuar, por një zyrtar u shpreh për agjencinë e lajmeve AFP, se zoti Kerimov ishte akuzuar se kishte fshehur miliona euro nga autoritetet fiskale kur kishte blerë një numër pronash të paluajtshme në Rivierën franceze. Kerimov u lirua kundrejt një pagese prej 5 milion eurosh dhe ka dorëzuar pasaportën pranë autoriteve franceze. Familja e Kerimov kontrollon prodhuesin më të madh të arit në Rusi dhe vetë miliarderi ka një vlerë neto prej 6.3 miliardë dollarësh. Aksionet e kompanisë së tij ranë pas lajmit të arrestimit. 51 vjecari është senator në dhomën e lartë të parlamentit rus, dhe një nga dy përfaqësuesit e republikës juperëndimore të Dagestanit në krahinën e Kaukazit Verior. Deri vitin e shkuar, ai ishte gjithashtu pronar i klubit të futbollit Anzhi Makhashkala, i cili u bë i njohur për blerjen e yjeve të mëdhenj të këtij sporti, siç ishte edhe sulmuesi nga Kameruni Samuel Eto’o.