KRYEFAQJA » LAJME » Formula 1, Verstapen: Jemi dy gara prapa rivalëve
https://youtu.be/BToZK8esd2U

Formula 1, Verstapen: Jemi dy gara prapa rivalëve

Maks Verstapen mendon se makina e tij “Red Bull” në Formula 1 këtë sezon ka qenë gjithmonë dy gara me vonesë sa u përket përmirësimeve të vazhdueshme të motorit, për shkak se kjo nuk ka qenë në listën e përparësive të furnizuesit, “Renault”. Ringjallja e skuadrës së firmës automobistike franceze në 2016-ën e ka ndërlikuar mjaft marrëdhënien e saj me “Red Bull”-in që është furnizuar rregullisht me motorët e saj për disa sezone radhazi. Në fakt kjo ishte edhe arsyeja kryesore pse skuadra austriake do të përdorë motorët e “Hondës” sezonin e ardhshëm, duke u bërë kështu të vetmet partnere, së bashku me skuadrën simotër, “Toro Rosso” të firmës automobilistike japoneze. “Rivalët tanë, “Mercedes”-i dhe “Ferrari” i përfitojnë më shpejt përmirësimet në motor dhe po kështu ndodh edhe me përshtatjen e motorit me karburantin, – ka deklaruar piloti holandez i skuadrës së “Red Bull”-it. – Prandaj kam ndjesinë që ne jemi gjithnjë dy gara me vonesë këtë sezon.” Verstapeni e pohoi se kjo ka qenë edhe arsyeja pse sezoni i skuadrës austriake ka pësuar rënie, pasi “Red Bull”-i i fitoi 3 garat e para, por nuk e ka shijuar më fitoren në 9 garat e tjera të zhvilluara deri më tani. Verstapeni, i cili do të ketë një shok të ri skuadre sezonin e ardhshëm, pas kalimit të papritur të Daniel Rikiardos tek “Renault”, tha se stafi i skuadrës tanimë duhet të përqendrohej tek gjërat që mund t’i kontrollonte. “Ne duhet të përmirësojmë makinën, pasi nuk kemi asgjë më pak sesa “Mercedes”-i dhe “Ferrari” dhe kjo është ajo me të cilën duhet të merremi”, – përfundoi piloti holandez.

Sicred