KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Formula 1, Riçiardo dhe Verstapen me sytë nga Barcelona
Formula 1, Riçiardo dhe Verstapen me sytë nga Barcelona

Formula 1, Riçiardo dhe Verstapen me sytë nga Barcelona

Nga Bakuja, në Barcelonë… Kampionati Botëror i Automobilizmit, që njihet ndryshe si Formula 1 zhvendoset nga njëri skaj, ai lindor, në skajin tjetër, atë perëndimor të kontinentit të vjetër, por ajo që është e sigurt është se niveli i adrenalinës nuk do të ulet.
Natyrisht, në qendër të vëmendjes mbeten dy pilotët e “Red Bull”-it, Daniel Riçiardo dhe Maks Verstapen, të cilët duken se e kanë lënë prapa atë përplasje midis tyre në garën e Azerbajxhanit. “Barcelona është gjithmonë një periudhë interesante e vitit, – ka deklaruar Riçiardo, pasi është nisja e sezonit “evropian”. Pista e Barcelonës është zbavitëse, ku kemi bërë shumë xhiro dhe që e njohim mirë, por që prapëseprapë nuk është i mërzitshëm dhe prandaj e shijojmë sa herë kthehemi aty. Kjo garë është në fakt thelbësore në kalendarin e Formulës 1. Kjo pistë ka pak nga të gjitha dhe kthesat 1, 2 dhe 3 janë kthesa të këndshme dhe të rrjedhshme, ndërsa pjersa e fundit është mjaft teknike. Vitin e shkuar unë sigurova podiumin e parë të sezonit, çka ishte e bukur, prandaj do të synojmë të njëjtën gjë këtë vit”, – ka përfunduar piloti australian i skuadrës austriake.
Ndërkohë, piloti tjetër i “Red Bull”-it, Maks Verstapen, shpreson në përmirësimin e mëtejshëm të makinës, pasi ai kërkon më tepër shpejtësi dhe shpresoj ta gjejë në Barcelonë. “Sigurisht që mezi jam duke e pritur fundjavën, pasi kam kujtime të mira të fitores sime të parë në Formula 1 në këtë pistë dhe do të jem i lumtur ta nis pjesën evropiane të sezonit në të njëjtën mënyrë”, – ka përfunduar piloti holandez. Siç dihet, duke nisur nga ky sezon e për 3 sezone radhazi, emocionet e Formula 1 do të sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.

Sicred