KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Formula 1, Gara më sfiduese e sezonit, të dielën direkt në RTSH
Formula 1, Gara më sfiduese e sezonit, të dielën direkt në RTSH

Formula 1, Gara më sfiduese e sezonit, të dielën direkt në RTSH

Çmimi i Madh i Monakos, apo Monte Karlos, është ajo garë e vitit që çdo pilot ëndërron ta fitojë. Ashtu sikundër simotrat e saj, “The Indy 500” apo “La Mansh”-i, ajo qëndron veçmas, thuajse e pavarur edhe nga vetë sporti prej të cilit ka lindur.

Një ndërthurje e pilotimit me saktësi të lartë, me përsosmëri teknike dhe guxim të pashoq, janë ato që kërkohen për të fituar në Monako, aspekte këto që nxjerrin në pah diferencën e hollë midis të qenit i mirë dhe i madh në Formula 1. Pista e rrethuar me mbrojtëse metalike nuk lë hapësirë për gabim, duke kërkuar më tepër përqendrim sesa çdo pistë tjetër në këtë Botëror. Makinat vijnë me shpejtësi të madh në kthesa dhe punohet me frenat. Parakalimi është thuajse i pamundur, prandaj edhe provat zyrtare në Monako janë shumë më vendimtare se në çdo Çmim tjetër të Madh. Kthesa “Portier” është vendimtar në regjistrimin e një kohe të mirë në Monako, ndërsa asaj i paraprin kthesa “Ljëus”, kthesa më e ngadaltë në Formula 1, për të vijuar më pas me tunelin, një prej sektorëve të paktë të rrafshët të kësaj piste.

Disa prej emrave më të mëdhenj të këtij sporti i kanë mbyllur garat në barrierat e këtij sektori, e midis tyre spikatin Ajrton Sena dhe Mikael Shumakeri. Prandaj, fitorja në Monako e vendos emrin e një piloti në listën e më të mëdhenjve të historisë.

Si Graham Hilli, i mbiquajtur “’Mr. Monako”, ashtue edhe Shumakeri e kanë fituar atë 5 herë, Alen Prosti korri 4 fitore, ndërsa Stërling Mosi dhe Xheki Stjuart e kanë fituar nga 3 herë secili. Por rekordi i fitoreve në Principatë i mbetet  Senës, i cili ka triumfuar plot 6 herë në Monte Karlo.

Gara është pjesë e Botërorit të Formula 1 që nga 1950-ta dhe ka ndryshuar shumë pak me kohën, ndërsa ka 78 xhiro, me nga 3.337 km secila, që e bëjnë distancën e garës plot 260.286 km. Rekordi i pistës, me 1 minutë, 14 sekonda e 820 të qindtat, mbahet nga Serxhio Perez, i cili e vendosi atë në 2017-ën.

Sikundër i gjithë ky sezon, edhe gara e 6-të e tij, ajo e Monte Karlos do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, përgjatë gjithë fundjavës, duke nisur nga provat e lira e ato zyrtare e duke kulmuar me garën e së dielës.

Sicred