KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Formula 1, Feteli fiton në Silverstoun
Formula 1, Feteli prish festën e britanikëve në Silverstoun

Formula 1, Feteli fiton në Silverstoun

Ljuis Hemilton nuk arriti ta fitonte për herë të 6-të Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe, çka do të kishte qenë një rekord më vete, edhe pse bëri një garë të jashtëzakonshme, pasi ishte rivali Sebastian Fetel ai që mbërriti i pari në finish, duke e detyruar pilotin e “Mercedes”-it të kënaqej me shkallën e dytë të podiumit në pistën e shtëpisë. Britaniku u nis nga vendi i parë, por goditet që në kthesat e para nga finlandezi i “Ferrari”-t, Kimi Raikonen, dhe mbetet prapa në pistë. Megjithëse Hemiltoni bëri një rikthim spektakolar, edhe rivali i tij gjerman i “Ferrari”-t bëri një garë të shkëlqyer, ndërsa podiumin e plotësoi Raikoneni. Në fakt ishte një garë që i kishte të gjitha ajo e zhvilluar të dielën në pistën e Silverstounit dhe, që sikundër gjatë gjithë këtij sezoni, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Përtej incidentit të fillimit, për të cilin finlandezi i “Ferrari”-t u ndëshkua me një ndalesë për 10 sekondash, gjithçka tjetër u vendos nga strategjitë e ndalesave për ndërrimet e gomave dhe nga aftësitë individuale të pilotëve. Pavarsisht se, në një moment të caktuar u duk se “Mercedes”-i ishte në rrugë të mbarë drejt triumfit, fjalën e fundit e kishte piloti gjerman i “Ferrari”-t, Sebastian Fetel, i cili, me fitoren e korrur të dielën, që ishte e 51-ta në karrierë në Formula 1, barazon në listën e historisë së fitoreve 4 herë “kampionin e botës”, Alen Prostin. Gjermani e thellon në 8 pikë hendekun në krye të renditjes së përgjithshme të pilotëve kundrejt Hemiltonit, teksa i drejtohet garës së shtëpisë, asaj të Hokenhaimit. Po kështu, edhe “Ferrari” e thellon në 20 pikë kryesimin e renditjes së skuadrave, kundrejt Mercedesit, që ka 267 pikë, ndërsa “Red Bull”-i është i 3-ti, me 199 pikë.

Sicred