KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » FMN, optimizëm i matur për rritjen ekonomike të Shqipërisë
FMN: Shqipëria po gëzon një prej rritjeve më të shpejta ekonomike në rajon

FMN, optimizëm i matur për rritjen ekonomike të Shqipërisë

Mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zonjës Anita Tuladhar, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 7-20 mars 2018, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit (MPP).
Në përfundim të vizitës, misioni doli me një deklaratë ku thekson se, Shqipëria po gëzon një prej rritjeve më të shpejta ekonomike në rajon. Mjedisi makroekonomik dhe politik është i qëndrueshëm. Politikëbërësit do të duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë të mirë për të çuar më tej reformat për zbutjen e risqeve që lindin nga borxhi i lartë publik dhe detyrimet e kushtëzuara dhe nga kreditë nën standard në sektorin financiar, si dhe për t’a fuqizuar potencialin e rritjes afatmesme kundrejt një klime të vështirë për investimet me nivel të lartë informaliteti dhe sundim të dobët të shtetit ligjor, thekson misioni.
Më tej deklaratën e FMN-së vlerësohet se Shqipëria po gëzon një prej rritjeve më të shpejta ekonomike në rajon, ndërsa norma e rritjes ekonomike çmohet se do të arrijë 3,9 për qind në 2017 dhe 3,7 për qind në 2018.
Megjithatë sipas FMN-së, ky ritëm i rritjes ekonomike mund të mos zgjasë shumë. Gjithnjë sipas misionit ka edhe risqe globale nga një korrigjim i beftë i tregjeve financiare, pasigurive politike dhe politikave proteksioniste të cilat mund ta ulin besimin dhe rritjen ekonomike.
Misioni shënon se “Tani është momenti i përshtatshëm për t’i përshpejtuar reformat, për t’i zbutur këto risqe dhe për të krijuar mburoja ndaj tronditjeve të padëshirueshme në të ardhmen”. FMN vëren se, nevojitet një konsolidim më i shpejtë fiskal për të krijuar amortizatorë. Deklarata thekson nevojën e kornizave më të forta për menaxhimin e buxhetit dhe të investimeve publike, në mënyrë që të zbuten risqet fiskale dhe të ketë sa më pak çuarje dëm të burimeve të pakta.
Në lidhje me investimet publike dhe partneritetet publike private (PPP). Deklarata citon se, me rritjen e nivelit të investimeve publike, autoritetet do të duhet t’u japin zgjidhje mangësive në menaxhimin e projekteve, përfshirë edhe në njësitë e qeverisjes vendore dhe në ndërmarrjet shtetërore (NSH). Nevojitet vendosja e prioriteteve mes projekteve, përfshirë PPP-të, brenda tavanit të investimeve publike, që do të duhej të financoheshin si duhet në kuadrin buxhetor afatmesëm. Sa u takon PPP-ve, një prioritet kyç është pakësimi i vendimmarrjeve të fragmentuara dhe fuqizimi i proceseve të vlerësimit të riskut brenda Ministrisë së Financave.
Këto procese janë me rëndësi kritike, po të kemi parasysh detyrimet e mëdha të kushtëzuara që shpesh janë pjesë e kontratave të PPP-ve me një horizont kohor afatgjatë. Praktika aktuale e propozimeve të pakërkuara duhet të eleminohet. Plani i qeverisë për krijimin e një banke zhvillimi për të financuar investimet publike është mirë të marrë parasysh përvojën ndërkombëtare sa u takon risqeve që shoqërojnë subjekte të tilla, përfshirë risqet fiskale, financiare dhe të drejtimit të brendshëm, vijon deklarata.
Misioni i FMN-së, citon se, mbajtja në kontroll e detyrimeve të prapambetura. Reformat rigjallëruese në sektorin shtetëror të energjisë elektrike, për t’i vënë shoqëritë në baza të qëndrueshme financiare, kanë rëndësi kritike.
Sipas FMN-së, trajtimi i kuadrit për zgjidhjen e kredive nën standard përbën faktor kyç për rimëkëmbjen e kreditimit. Përmirësimi i mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit bankar, në përputhje me standardet e BE-së, do t’i vinte në dispozicion BSH-së mjetet për t’i menaxhuar më mirë risqet e bankave me rëndësi sistemike dhe të krijonte amortizues të kapitalit.
Gjithashtu citon FMN-ja, nevojitet një rritje më e shpejtë për të rritur standardin e jetesës dhe për të ulur varfërinë, çka kërkon reforma institucionale themelore. Për të thithur më shumë investime dhe për të arritur konvergjencë më të shpejtë, Shqipëria duhet t’u japë zgjidhje shumë pengesave strukturore. Ndersa zbutja e risqeve dhe zbatimi i programit të reformave strukturore do të hedhë themelin për një rritje të qëndrueshme, si edhe do të hapë rrugën drejt integrimit në BE, përfundon deklarat e FMN-së.

Sicred