Deputeti socialist Bashkim Fino ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet partiake, pasi garon për postin e presidentit të FSHF. Zoti Fino i cili është sekretari organizativ dhe administrativ i PS shkruan në Fejsbuk se “Ky akt, vjen për të evituar çdo paragjykim, për një garë të drejtë dhe të ndershme, në kuadër të kandidimit tim për postin e presidentit të FSHF”.
Javën e kaluar në “Rubrikën Sportive” në RTSH zoti Fino bëri publike ambicjen e tij për postin e kreut të FSHF si dhe paraqiti platformën. “Nëse zgjidhem në krye të FSHF deklaroj se 24 orë në ditë do t’ja kushtoj futbollit” tha ai.
Kandidatura e zotit Fino ka shtuar spekulimet se PS dhe kryeministri Rama po synojnë të vënë nën kontroll edhe futbollin, pavarësisht se kreu aktual i FSHF Armand Duka ka rikandiduar dhe po kërkon mandatin e pestë. Por sot zoti Rama deklaroi se nuk ndërhyn në garën për kreun e kësaj federate, ndërsa mori pjesë në inagurimin e ndërtimit të zyrave të reja të saj.
