KRYEFAQJA » LAJME » Financimi i transmetuesve publikë si mbrojtje e lirisë së mediave

Financimi i transmetuesve publikë si mbrojtje e lirisë së mediave

Modelet e financimit dhe drejtimit të medias publike ishte tema e një tryeze të përbashkët të organizuar në Tiranë. Financimi i transmetuesit publik merr një rëndësi të veçantë, pasi nga pavarësia në financim vjen edhe pavarësia e tij, shërbimi ndaj publikut e jo politikës, mbrojtja e lirisë së fjalës dhe dhënies së informacionit të balancuar. Për ambasadorin e Bashkimit Europian, Luixhi Soreka, RTSH është transformuar dhe ka bërë progres të matshëm në vetëm pak kohë. “Progresi i RTSH deri më tani është i qartë, kjo pasi transmetuesi publik ka struktura të brendshme të cilat përfshijnë edhe aspektet digjitale, gjithashtu edhe parimet editoriale të cilat shërbejnë për të mbrojtur nga ndërhyrja politike. Raporti i ODIHR – OSBE-së i zgjedhjeve parlametare të fundit, theksuan se RTSH ka një qasje të balancuar. Këto janë përmirsime të dukshme të cilat duhen të konsolidohen më shumë.
Por shumë nga këto ndryshime varen jo vetëm nga vullneti i mirë i drejtuesve, që nuk ka munguar, por edhe nga menyra se si financohet media publike në Shqipëri, ç’ka krahasuar me rajonin the shumë transmetues të tjerë europiane është ende shumë larg asaj që nevojitet, tha ndër të tjera zoti Soreka. Tarifat janë shumë të ulta në krahasim me vendet anëtare të BE. Këto kufizime financiare e bëjnë të vështirë ndoshta të pamundur për RTSH që të përmirësojë programin dhe teknologjinë, shtoi ai.
Për ekspertin e rrjetit Europian të Transmetuesve Publikë Boris Bergan, financimi i RTSH është shumë i vogël dhe aspak i mjaftueshëm për të siguruar hopin cilësor të pretenduar. “Rrjeti digjital i bërë nga RTSH nuk duhet të paguhet si një kosto nga vetë institucioni, por duhet të jetë një nga zërat e buxhetit për t’ia kaluar RTSH. Gjithashtu tarifa e RTSH është e ulët krahasuar me vendet europiane, por edhe të rajonit ndërkohë që institucioni që e mbledh këtë tarifë merr 10 përqind të shumës së mbledhur dhe për mendimin tim kjo është një shumë e lartë” tha zoti Bergan.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH Thoma Gëllçi theksoi se për të përmbushur misionin trasmetuesi publik duhet të jetë i mirëfinancuar. “Ne nuk prodhojmë dot sot, as seriale, as drama, as sitkome, nuk bëjmë dot spektakle gjë që kërkohet për të rritur cilësinë ndjekjen dhe shikueshmërinë” tha ai. “Që të bëjmë programe të kësaj natyre ne duhet të kemi financimin e saktë. Duhet të rregullojmë ambientet e arkivit, sepse ambientet aty janë skandaloze” tha zoti Gëllçi.
Për ekspertin e mediave Lutfi Dervishi sigurisht që duhen para, por problemi është që më shumë para me të njëjtat burime njerëzore nuk bëjnë difirencën e madhe. “Në një moment sinqeriteti duhet thënë se të rekrutuarit për punë në RTSH, gazetarët etj., nuk janë rekrutuar sipas kërkesave të tregut, që janë marrë më të mirët” tha ai.
Tryeza për financimin dhe modelet e qeverisjes së shërbimit të medias publike i organizuar me financimin e nga Bashkimi Europian është pjesë e një projekti që përfshin 6 vende të Ballkanit dhe që ka nisur nga shkurti i 2018-tës, duke pasur si qëlllim përmirësimin e shërbimeve që japin trasmetuesit publikë në këto vende.

Para Mbrapa
Financimi i transmetuesve publikë si mbrojtje e lirisë së mediave
Para Mbrapa
Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com