KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Financat mbledhin më pak të ardhura për muajin korrik

Financat mbledhin më pak të ardhura për muajin korrik

Edhe pse duke shkelur çdo afat ligjor të deklarimit publik të të hyrave fiskale, Ministria e Financave nuk ka mundur të realizojë detyrimin ligjor të grumbullimit të tyre sipas planifikimit. Në fund të muajit korrik buxhetit i mungojnë më shumë se 188 milionë lekë të rinj, që vijnë nga mosarkëtimi i të ardhurave. Gropën më të madhe në buxhet e përbën edhe në këtë rast tatimi mbi vlerën e shtuar, pra taksa e konsumit e cila shënon rreth 63 milion lekë të rinj më pak se planifikimi. Pa realizim janë edhe tatimi mbi fitimin dhe akciza, taksa që paguajnë mallra e ashtuquajtur të fortë, si birra, karburantet, kafeja dhe parfumet. Duket se Ministria e Financave e ka parandjerë këtë performancë të dobët në grumbullimin e të ardhurave, përderisa ka rishikuar buxhetin e vitit 2017, ku tatimi mbi vlerën e shtuar ulet me rreth 3 miliardë lekë. Të hyrat fiskale të gjashtëmujorit të dytë, do të jenë më të vështira për t’u realizuar edhe për faktin se ka qënë vetë dikasteri i financave që ka planifikuar një peshë me të lehtë të agjencive shtetërore të tatim taksave në 6 mujorin e parë, për ta rënduar atë në gjysmën e dytë të vitit. Grafiku i shpërndarjes së të hyrave fiskale për vitin 2017 e shpjegon më së miri këtë. Ministria e Financave ende nuk e ka publikuar tabelën e plotë të treguesve të konsoliduar fiskalë për periudhën janar-korrik 2017.

Sicred