KRYEFAQJA » LAJME » Finalja e madhe e Ligës së Evropës, Atletiko e Madridit – Olimpik i Marsejës, më 16 maj në RTSH
Finalja e madhe e Ligës së Evropës, Atletiko e Madridit - Olimpik i Marsejës, më 16 maj në RTSH

Finalja e madhe e Ligës së Evropës, Atletiko e Madridit – Olimpik i Marsejës, më 16 maj në RTSH

Liga e Evropës ka luajtur të enjten në mbrëmje ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve. Sikundër ka bërë gjatë gjithë këtij sezoni, rrjeti i RTSH ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt sfidën më të spikatur gjysmëfinale të së enjtes, atë midis Atletikos së Madridit dhe Arsenalit.
Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë mjaft e ngjeshur në lojë, me të dyja skuadrat që ishin mjaft të disiplinuara taktikisht, por që sidoqoftë e synuan portat kundërshtare. Londinezët kishin një gjysmërast, ndërsa, në krahun tjetër, Diego Kosta shkoi dëm një mundësi të mirë për shënim.
Arsenali merr një goditje në 8 minutat e para, pas një dëmtimi fatkeq të Kosielnisë, ndërsa 20 minutat që do të vijojnë do të jenë përgjithësisht të ngurta në lojë, pa ndonjë goditje të rrezikshme drejt portave kundërshtare.
8 minutat e fundit të pjesës së parë janë të mira për Atletikon e Madridit, dhe pas një rasti të Kokesë, është Grizmani ai që rrotullohet në zonë dhe godet, jashtë. Madrilenët ushtrojnë presion ndaj londinezëve në fund të pjesës së parë dhe ky presion jep fryte në minutën e dytë shtesë, nga 3 të tilla. Diego Kosta i vidhet mbrojtjes angleze dhe ruan gjakftohtësinë, duke përshëndetur rrjetën.
Pjesa e dytë ishte më e bukur dhe më luftarake sesa ajo e para. Të dyja skuadrat do të guxojnë gjithnjë e më tepër në drejtim të portave kundërshtare. Arsenali kërkonte golin për të rihapur duelin dhe Atletikon duke synuar golin që do të nënkuptonte kualifikimin.
Ndërkohë që londinezët bënë vëllim loje, por pa patur qartësinë dhe qetësinë e duhur në finalizim, janë spanjollët që kanë raste të pastra për shënim, por Grizman është fajtor në disa raste për shpërdorimin e tyre. Sidoqoftë, Atletiko e Madridit e ruan deri në fund epërsinë minimale, që i mjafton për të siguruar vendin në finalen e 16 majit në Lion.
Përballë do të ketë pikërisht një ekip francez Olimpikun e Marsejës. Në takimin tjetër gjysmëfinal të mbrëmjes së djeshme ata u kualifikuan përballë Salzburgut. Austriakët e kapërcyen humbjen 0-2 të pësuar para një jave në Francë, duke fituar me të njëjtat shifra në shtëpi në kohën e rregullt. Megjithatë, Marseja gjen një gol në pjesën e dytë shtesë dhe i jep fund aventurës evropiane të austriakëve, duke siguruar vendin në finalen e veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit.

Sicred