KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Filipine, vazhdon të përgjaket fushata antidrogë
Filipine, vazhdon të përgjaket fushata antidrogë

Filipine, vazhdon të përgjaket fushata antidrogë

Mbrëmja e së martës ishte me e përgjakura e shënuar gjatë fushatës kundër drogës të ndërmarrë nga presidenti filipinas Rodrigo Duterte që nga viti 2016. 32 persona u vranë gjatë 24 orëve, ndërsa policia bastisi provincën Bulakan, në veri të kryeqyetit Manila. Të vrarët ishin persona të dyshuar për krime që kanë lidhje me lëndët narkotike. Sipas forcave blu, ata ishin të armatosur dhe i rezistuan policisë. Më shumë se 100 persona u arrestuan dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike dhe armësh.
Mijëra persona janë vrarë në Filipine që kur Duterte lançoi luftën shumë të kundërshtuar kundër narkotikëve në vitin 2016. Fushata, e cila synon eleminimin e tregtisë së drogës, ka tërhequr kritikat e komunitetit ndërkombëtar për numrin e vdekjeve që janë shënuar gjatë saj. Grupet e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar policinë filipinase për planifikimin e vrasjeve pa gjyq dhe përfitimin prej tyre në disa raste. Policia insiston se të dyshuarit janë vrarë kur i rezistojnë me armë policisë, një pretendim ky që është kundërshtuar gjerësisht.
Presidenti Duterte e pezulloi fushatën kundër drogës në janar të këtij viti, ndërsa premtoi se do të pastronte radhët e policsë, dhe do të ri-organizonte njësitë anti-drogë. Fushata filloi sërish në muajin mars.

Sicred