KRYEFAQJA » LAJME » Fier, nis pastrimi i ujërave të Gjanicës

Fier, nis pastrimi i ujërave të Gjanicës

Lumi Gjanicë, prej vitesh jo vetëm kishte humbur funksionin e tij, por ishte kthyer në burim të madh ndotjeje e kërcënim për shëndetin e qytetarëve. Por më në fund duket të jetë ndezur një dritë jeshile dhe për të. Bashkia e këtij qyteti, ka gjetur mbështetjen dhe investimin e kompanisë “Recovered Earth” e cila falë teknologjisë së përdorur garanton cilësi maksimale të ujit: “Në fund të procesit të pastrimit dhe filtrimit, në ujë mbeten 0.02 % mbetje, ç’ka do të thotë se uji mbetet i pastër, i kristaltë. Pastaj e rikthejmë ujin në Gjanicë duke qënë të sigurt se ai tashmë është i pastër dhe mund të përdoret nga qytetarët për qëllime të ndryshme” tha administratori i kompanisë “Recovered Earth” Mikael Mills. Investimi fillestar i kompanisë është 3 milionë dollarë. Që nga burimi e deri në grykëderdhje në Gjanicë janë evidentuar 21 pika të rrezikshme e kreu i bashkisë së Fierit beson në vazhdimësinë e projektit. “Unë do të bëj të gjitha përpjekjet maksimale edhe me ministrin e mjedisit edhe me kryeministrin që këtë projekt ne të gjejmë të gjitha mundësitë financiare për ta çuar përpara. Është shumë e rëndësishme për qytetin tonë. Nëqoftëse do të arrijmë të shmangim nga Gjanica gjithë kto mbetje dhe erën e keqe besoj se kemi bërë një punë shumë të mirë dhe kemi hedhur hapa shumë të rëndësishëm për të nesërmen” theksoi kryetari i Bashkisë Fier Armando Subashi. Projekti i filtrimit të ujërave të lumit, po vijon paralelisht me atë të rehabilitimit urban të tij.