KRYEFAQJA » LAJME » Fier, dy të plagosur nga grabitja me armë e një pike këmbimi valutor

Fier, dy të plagosur nga grabitja me armë e një pike këmbimi valutor

Edhe këtë të premte u shënua një tjetër grabitje me armë në qytetin e Fierit. Ngjarja e ndodhur në orën 10.45, përballë Gjimnazit “Janaq Kilica”, u mbyll dhe me dy të plagosur. Gëzim Hoxha, 64 vjeç, pronari i Pikës së Këmbimit Valutor që u grabit gjatë paradites, ndodhej në banak në momentin që autorët hynë brenda, dhe e kanë qëlluar menjëherë. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes pohojnë se britma e punonjesës së Pikës së Këmbimit Valutor, bëri që të ndërhynte Agur Vrenozi, pronar i disa bizneseve në këtë zonë, i cili në atë moment po kalonte fare pranë vendit të ngjarjes. Por kjo i ka kushtuar. 53 vjeçari Vrenozi është qëlluar në kokë me dy plumba automatiku. Të dy të plagosurit ndodhen në spitalin e Fierit.
Edhe pse ngjarja mori këtë dinamikë, autorët kanë arritur të marrin një sasi lekësh dhe valute nga pika e këmbimit valutor e të largohen me makinë nga vendgjarja. Por arratia e të tre autorëve ka zgjatur shumë pak e tani ndodhen në duart e policisë. Policia konfirmon se tre të arrestuarit janë:
Zini Fyraj, 37 vjeç, banues në Sevaster, Vlorë, Lulëzim Demiraj,42 vjeç banues në Vajzë, Vlorë dhe Dashamir Gergali, 41 vjeç, banues në Zhupan, Fier. Në njoftimin për shtyp policia ka zbardhur dhe mënyrën e arrestimit të autorëve. Njeri prej autoreve u kap në lumin pranë fshatit Baltëz,ku ishte hedhur për t’i shpëtuar policisë. Autori i dytë u kap te ura e Baltëzës, ndërsa autori i tretë ishte fshehur në një banesë po në kete fshat. Mjeti me te cilin u kryer grabitja “Benzi” dyshohet të ketë targa të falsifikuara. Por ky rast, nuk është rast i izoluar në Fier. Vetëm gjatë tre muajve të fundit, në ketë qark janë bërë 5 grabitje me armë.

Sicred