KRYEFAQJA » LAJME » Festohet Dita e Sulltan Novruzit
Festohet Dita e Sulltan Novruzit

Festohet Dita e Sulltan Novruzit

Besimtarët bektashinj në Shqipëri festojnë më 22 mars Ditën e Sulltan Novruzit. Kjo ditë përkon me lindjen e Imam Aliut në Qabe dhe simbolizon lindjen e shpresës dhe rigjallërimin e natyrës. Me këtë rast besimtarët shprehin urimet më të mira. Në cermoninë e organizuar në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë, Kryegjyshi Baba Dede Edmond Brahimaj përcolli mesazhin e kësaj dite të shënuar për besimtarët, për mbarësi, mirëqënie dhe paqe.  Në cermoni ishte i pranishëm edhe kreu i parlamentit shqiptar Ilir Meta,i ndau një mesazh për të pranishmit dhe të gjithë shqiptarët. Ai e cilësoi besimin bektashian, si “një nga lumenjtë më të rëndësishëm që mbush detin e atdhetarizmit tonë”. “Ai është shembulli i jashtëzakonshëm i përkushtimit moral dhe i shërbesës për atdheun dhe për njeriun. Mirënjohje pafund për veprën e jashtëzakonshme të etërve të bektashizmit që nga Rilindja Kombëtare, nën emrin e vëllezërve Frashëri dhe deri më sot. Që nga koha kur lindi shpresa kombëtare dhe u hodhën themelet e asaj çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet Shqipëria, në atë projekt gjigand dashurie për atdheun është vënë mendje, zemra, pasioni dhe shërbesa e besimtarëve bektashinj dhe të gjithë shqiptarëve që besonin tek Shqipëria” tha zoti Meta për të pranishmit. Zoti Meta tha se ky besim fetar mbetet një nga pasuritë më të mëdha të vendit tonë dhe monumenti më i rëndësishëm europian, për shkak të vlerave të harmonisë dhe bashkëjetesës që mbart. Në cermoni për herë të parë u dhanë dy statuja të arta të Ehlibetit nga Haxhi Baba Edmond Brahimaj për personat që kanë kontribuar për Bektashizmin. Ato ishin për biznesmenin e ndjerë Mehmet Malo dhe biznesmenin Kadri Morina.