KRYEFAQJA » LAJME » Festat e fundvitit, nisin urimet
Festat e fundvitit, nisin urimet

Festat e fundvitit, nisin urimet

Shqiptarët u janë bashkuar shumicës së popujve të botës, duke u zgjedhur urimet më të mira për festën e krishtlindjeve dhe vitit të ri. Fjalët më të përdorura janë “Paqe, gëzim, lumturi e begati”. Më së shumti ato i gjen në rrjetet sociale, por edhe mesazhet telefonike. Krerët e besimit të krishterë kanë dalë me mesazhet e rastit para besimtarëve të tyre.
Si zakonisht festat kanë qenë një rast mjaft i mirë veçanërisht për politikanët shqiptarë, që veç urimeve të lëshojnë edhe mesazhet e tyre.
Presidenti Bujar Nishani në urimin e tij shkruan ndër të tjera se paqja e bekimi janë vlera që duhet të triumfojnë jo vetëm në kisha e vende të shenjta, “por dhe në të gjithë botën për të mposhtur urrejtjen e pajustifikuar, ekstremizmin dhe ndasitë fetare”.
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Fjesbukun për të përhapur urimin e tij për krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Ndërsa në fasadën kryesore të kryeministrisë si çdo vit nën sloganin “Shqipëria uron Shqipëria dhuron” po projektohen urimet e qytetarëve të ndryshëm. Të ardhurat, që do të mblidhen nga mesazhet, do të shkojnë për bamirësi.
Edhe kreu i opozitës Lulzim Basha ka zgjedhur të publikojë një kartolinë urimi në Fejsbuk. “Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë Gëzuar Krishtlindjen. Zoti e bekoftë Shqipërine dhe shqiptarët kudo ku janë!” shkruan zoti Basha.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka qenë mjaftë origjinal. Zoti Tahiri ka publikuar në profilin e tij në Fejsbuk disa këshilla të vlefshme për qytetarët që ata t’i kalojnë sa më të qetë ditët e festave.