KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Fest ’56 triumfon Eugent Bushpepa

Fest ’56 triumfon Eugent Bushpepa

Eugent Bushpepa me Këngën “Mall” rrëmbeu trofeun e Festivalit të 56-të të Këngës në RTSH pas një mbrëmjeje spektakli madhështor që shoqëroi konkurimin. Si asnjëherë më parë, kënga dhe vokali i Bushpepës gjetën konsensusin e kritikës, medias, jurisë dhe dëshirës së publikut për këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong.
Dhënia e kupës u shoqërua me emocione të shumta, brohoritje dhe duartrokitje nga publiku i cili e mbështeti vazhdimisht. Bushpepa u shpreh vetëm pak minuta pas shpalljes si fitues se ndjehej i lumtur dhe falenderonte RTSH. “Do të mundohet ta përfaqësoj sa më mirë Shqipërinë në Eurosong” tha ai.
“Mall” është një krijim muzikor dhe poezi nga vetë fituesi Eugent Bushpepa, i njohur prej vitesh si një prej rokerëve më të mirë shqiptarë të dekadës së fundit. “Shpresoj t’ju pëlqejë dhe t’ju ndihmojë të kaloni sadopak mallin që keni për dikë” tha Bushpepa kur kënga u publikua pak kohë më parë. Por “Mall” jo vetëm u pëlqye, por është tashmë fituese.  Në vend të dytë në Fest ’56 u rendit Redon Makashi me këngën “Egziston”, ndërsa në vendin e tretë Inis Neziri me këngën “Piedestal”.
Festivali i 56 i Këngës në RTSH ka ulur siparin e tij, por ai duket se ka shënuar hapjen e një epoke të re në historinë e institucionit më të madh e më të vjetër radioteleviziv shqiptar. Sikurse u shpreh edhe prezantuesi i festivalit Adi Krasta “RTSH kërkon të lerë pas krahëve shijet e neglizhencës së politikës ndër vite”. “Festivalet në RTSH, kanë qenë janë dhe do të jenë një burim i pashtershëm i muzikës dhe kulturës shqiptare” shtoi ai.
Gjatë mbrëmjes nuk munguan surprizat duke nisur me bashkëprezantuesen që Krasta kishte zgjedhur për ta shoqëruar përgjatë gjithë mbrëmjes se finales e pikërisht gazetaren dhe moderatoren Jonida Shehu. Mbrëmja pati kulmimet e saj me praninë e këngëtarit Alban Skenderaj, dhe rikthimi në skenën e festivalit i këngëtares Elsa Lila e cila kishte sjellë një koncept muzikor teatral të barokut ku Moxart takon vargjet e Lasgush Poradecit.
Fest ’56 pa dyshim ka shënuar një kthesë të rikthimit të besimit të publikut te muzika shqiptare dhe tek produksionet cilësore.

Sicred