KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Fest ’56, një natë e parë plot shkëlqim

Fest ’56, një natë e parë plot shkëlqim

Kurorë e artë, shkëlqim, muzikë e mirë, kurim deri në detaje dhe një zot shtëpie që ka ditur ti presë të gjithë miqtë e muzikës dhe jo vetëm të saj. Kështu mund të përkufizohet nata e parë e festivalit të ’56 të RTSH në drejtimin e Adi Krastës dhe regji të Pali Kukes.

E cilësuar edhe nga vetë Krasta si “Nata e prezetantorit” ai e la skenën të pushtohej nga tingujt e embël të Margeritës nga Riccardo Cocciante, kompozitori i përmasave botërore i cili e bëri edhe publikun në sallë të këndonte me të.
E më tej mjeshtri i madh italian u përpoq të bënte me Krastën edhe një këngëtar të zotin teksa provuan të këndonin bashkë të famshmen “Belle” në version italian. Më pas në një intervistë me Krastën Cocciante ka rrëfyer momente të jetës së tij, ndërsa e ka mbyllur performancen para publikut shqiptar me një duet me këngëtaren Elhaida Dani.

Gjatë spektaklit Krasta kishte zgjedhur të bashkëprezantonte me personalitete të ndryshme të botës së gazetarisë, biznesit, muzikës, sportit, aktivizmit social. Nuk mungoi humori por edhe mesazhet e solidaritetit për kauza të ndryshme sociale që nga mbrojtja e Valbonës e deri tek vemendja ndaj të rinjve përmes kulturës.

Por hapja e garës se festivalit ishte rezervuar për një prej ikonave të rokut shqiptar e pikërisht këngëtarit Elton Deda. Ishin 11 këngë të filtruara me kujdes për t’ju prezantuar publikut, ato vinin përgjithësisht nga rryma e pop rokut alternativ, por pati edhe balada mjaft të bukura ku secila prej tyre ishte trajtuar me imazhe grafike të personalizuara duke e plotësuar kurorën e çdo kënge.

Ashtu sikurse kishin premtuar organizatorët e festivalit në skenën madhështore të projektuar nga Albi Cifligu, në Pallatin e Kongreseve, natën e parë u rikthyen emrat e mëdhenj të muzikës së lehtë, Elton Deda, Mariza Ikonomi,  vëllezërit Stefi dhe Endri Prifti, Voltan Prodani, vëllezërit David dhe Genc Tukiçi, Eugent Bushpepa, Bojken Lako, Manjola Nallbani, Redon Makashi,  por edhe të rinj si Luis Ejlli e Rezarta Smaja.

Nata e dytë pritet të jetë vazhdimi i gares me 11 këngë të reja, por edhe të ftuar e surpriza të reja. Sikurse lajmëroi drejtuesi Krasta kjo natë do t’ju kushtohet të rinjve dhe një fryme tërësisht alternative.