KRYEFAQJA » LAJME » Federata Evropiane dhe ajo Botërore e Çiklizmit nderojnë Anxhakun, kreun e FSHÇ

Federata Evropiane dhe ajo Botërore e Çiklizmit nderojnë Anxhakun, kreun e FSHÇ

Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, është nderuar me medalje “Mirënjohje” nga Federata Evropiane dhe ajo Botërore e dyrrotakëve. Gjithçka ka ndodhur në Stamboll, atje ku janë zhvilluar punimet e Kongresit Evropian të Çiklizmit, ndërsa Anxhaku ka qenë së bashku me sekretarin e përgjithshëm Alfred Tahiraj.
Numri një i çiklizmit është nderuar për atë që ka bërë në 20 vjet për çiklizmin shqiptar. Të paktën që nga 2002-i në Shqipëri janë organizuar dy Kampionate Ballkanike më 2008 në Korçë dhe më 2016-ën në Elbasan. Pa harruar të gjitha aktivitetet kombëtare, apo dhe ndërkombëtare. Jo vetëm kaq, por që nga 2017-ta, Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, një ndër më të vjetrit në Evropë, është futur në kalendarin e aktiviteteve të Federatës Botërore të Çiklizmit, ndërsa ka parametra tashmë ndërkombëtare.
Lidhjet e ngushta me Italinë, numri i madh i sportistëve shqiptar që stërviten e garojnë atje të tillë si Eugert Zhupa, Redi Halilaj, Xhuljo Kamberaj, Iltian Nikaj etj, rrisin vlerën e Anxhakut në arenën ndërkombëtare, ndërsa dhe tendenca e evropianëve për të bërë gara çiklistike si amator në Shqipëri është një tjetër tregues. E fundi i tetorit solli grupin e italianëve në Sarandë, që më pas kaluan në Greqi. Për të gjitha këto, ndërsa gradualisht po kthehet presidenti më i vjetër i shumësportëshit shqiptar, Skënder Anxhaku është nderuar me Medalje “Mirënjohje” nga Federata Evropiane dhe ajo Botërore. “Është një nder i madh për mua, por jo vetën, sepse kështu nderohet çiklizmi shqiptar në të gjitha nivelet e tij”, ka thënë Anxhaku që nga Stambolli, ku dhe u zhvillua Kongresi i Unionit Evropian të Çiklizmit.

Sicred