KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Faleminderit për muzikën”, mbrëmje gala kushtuar muzikës së kinemasë shqiptare

“Faleminderit për muzikën”, mbrëmje gala kushtuar muzikës së kinemasë shqiptare

Për herë të parë, Radio Televizioni Shqiptar në bashkëpunim me orkestrën e RTSH, Arkivin Qëndror të Filmit dhe Qëndrën Kombëtare të Kinematografisë, po organizon një mbrëmje Gala, kushtuar një pjese thuajse të harruar të fondit të artë të muzikës shqiptare, siç është kolona zanore e filmit shqip. Qëllimi është jo vetëm rikthimi i disa pjesëve muzikore të dashura nga të gjithë, por dhe vlerësimi i autorëve të tyre. Veprat më të mira nga Çesk Zadeja, Feim Ibraimi, Kujtim Laro, Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi, Limos Dizdari, Agim Krajka dhe Hajg Zaharjan do të jenë kryefjala e këtij eventi i cili ka për qëllim krijimin e një tradite galash që në fillim të çdo viti të mund të sjellë një vlerë të re të muzikës së filmit shqip.
Kolonat zanore të filmave shqiptarë kanë qenë një element shumë i rëndësishëm në suksesin e këtyre filmave duke mbetur gjatë në memorien e gjithësecilit prej nesh.
Pikërisht kjo është arsyeja e krijimit të një evenimenti, si kjo mbrëmje Gala që do të shohë të parakalojnë artistë, muzikantë, personalitete përpara një publiku të zgjedhur artdashës.
Megjithëse ka qenë shumë e vështirë përzgjedhja e tyre, do të jenë 18 kolona zanore të cilat do të sillen plotësisht në një dritë të re. Ato do të jenë të ripunuara dhe të riorkestruara në një version tjetër duke i dhënë atyre një vlerë të re të shtuar.
Kjo mbrëmje shfaqet për publikun më 1 Janar të vitit të ri, për ta nisur 2017-tën me meloditë më të bukura të jetës tonë.

Sicred