KRYEFAQJA » LAJME » F1, Skandal me fondet e sponsorizimeve

F1, Skandal me fondet e sponsorizimeve

23 prokurori italiane janë përfshirë në një hetim për të zbuluar sistemin që po menaxhon riciklimin e parave në Formula 1, kampionatin e automobilizmit më të shtrenjtë në botë. Gjithçka ka nisur me gjurmimin e 80 milion eurove, fonde të errëta këto të zbuluara nga prokuroria e Monxës, qytet në të cilin zhvillohet Çmimi i Madh i Italisë. Financierët e qytetit kanë pyetur gjatë muajve të fundit disa persona, e kanë zbuluar dokumenta të dy shoqërive angleze, Ara Service e Ad Evolution, që kanë kryer sponsorizime të çmendura për pilotët që garojnë në Formula 1. Pas këtyre zbulimeve, hetimi është zgjeruar në nivel ndërkombëtar. Nëpërmjet disa dokumentave, hetuesit kanë zbuluar një trafik parash që kalojnë nga britania e madhe, Zvicra, Montekarlo dhe Dubai. Duke ndjekur fluksin e parave, hetuesit kanë parë se sistemi ka qenë tepër i fryrë dhe i shpërndarë në të gjithë vendin, deri në atë pikë saqë arritën në hipotezën se gjithçka drejtohej nga vetë Formula 1, nëpërmjet zyrave menaxhuese të saj. Duke ndjekur disa transaksione mjaft të mëdha, kanë zbuluar se lëvizjet më të mëdha të parave vinin nga persona shumë pranë Bernie Ecclestone, i cili deri në fund të 2016 ishte president i FIA-s. Edhe ai është hetuar, por britaniku ka hedhur poshtë çdo akuzë. Më tej janë zbuluar fatura të panumërta drejtuar investitorëve kryesorë të Red Bull dhe Puma. Në hetim është edhe djali i presidentit aktual të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, Nikolas Tod, që ka ndjekur karrierën e Felipe Masa e të ndjerit Zhul Bianki. Në veçanti këta dy pilotë mbanin në kaskë disa firma, faturat e të cilave ishin çuditërisht shumë të larta, në krahasim me vlerat e tregut të sponsorizimeve. Për sqarim, një logo në kaskë vlen shumë më pak se sa ajo në trupin e një makine gare. Hetuesit e Monxës kanë shkuar në 20 prill në autodromin e qytetit, për të hetuar disa pilotë dhe manaxherë në kërkim të dokumentave të reja të Ara Service e Ad Evolution, por nuk kanë gjetur gjë. Duket se gjithçka është rikthyer në gjendjen e mëparshme por tashmë me emra të tjerë firmash.

Sicred