KRYEFAQJA » LAJME » Evropiani i Beogradit; Smajlaj dhe Gega për podiumin
Izmir-Smajlaj, Gega, rekord, top form, forme e shkelqyer, sport, atletike

Evropiani i Beogradit; Smajlaj dhe Gega për podiumin

Kanë nisur sot paradite garat e Kampionatit Evropian të Atletikës në Salla të Mbyllura, që po mbahet në Beograd. Në këtë veprimtari, Shqipëria po merr pjesë me dy prej sportistëve të saj më spikatur. Bëhet fjalë për Luiza Gegën, që është edhe nënkampione në fuqi e Evropës në 3,000 metra me pengesa, si dhe për kampionin e sapokurorëzuar të Ballkanit në kërcimin së gjati, Izmir Smajlaj. Dhe ka qenë ky i fundit që ka zbritur sot i pari në pistë për garat kualifikuese të kësaj disipline. Ndryshe nga gara e para disa ditëve, të mbajtur po në Beograd, ku theu rekordin kombëtar në salla të mbyllura me provën e 6-të dhe të fundit me 7 metra e 98 centimetra, shkodrani e ka arritur këtë largësi sot që me provën e parë. Kësisoj, duke barazuar rekordin e vet, ai ka siguruar edhe vendin në finalen e së shtunës, që do të zhvillohet në mbrëmje. Sonte do të zbresë në pistë edhe atletja Luiza Gega, e cila do të garojë në baterinë e 3-të kualifikuese të garës së 1,500 metrave. Nëse kualifikohet, finalja e kësaj gare për shqiptaren do të jetë të shtunën në mbrëmje. Sipas asaj që kanë deklaruar dy sportistët në prag të nisjes për në Beograd, por edhe duke u mbështetur në formën e treguar dhe rezultatet që kanë arritur, si prej Smjalajt, ashtu edhe prej Gegës synohet podiumi kontinental.

 

Sicred