KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Eurozona ndihmë prej 6,7 miliardë euro për Greqinë
Eurozona, gati ndihma për Greqinë

Eurozona ndihmë prej 6,7 miliardë euro për Greqinë

Ministrat e Financave të Eurozonës kanë dhënë dritën jeshile për disbursimin e këstit të kredisë për Greqinë, në takimin e tyre që përfundoi mbrëmjen e të hënës. Presidenti i ri i Eurogrupit, Mario Centeno, deklaroi se ministrat përshëndetën plotësimin e “pothuajse gjithë parakushteve” dhe kanë autorizuar grupin e ekspertëve të verifikojë përmbushjen e aksioneve që duhet të realizohen “brenda javëve të ardhshme”. Ky vendim “pasqyron përpjekjet kolosale dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet qeverisë greke dhe institucioneve”, nënvizoi Centeno në konferencën për shtyp. Presidenti i Eurogrupit sqaroi se vlera e përgjithshme e këstit të kredisë do të jetë 6,7 miliardë euro. Kësti do të disbursohet në dy duar, që nga mesi i shkurtit. Gati gjysma e vlerës do të përdoret për pagesa të borxhit të jashtëm, një pjesë për shlyerjen e detyrimeve të shtetit ndaj sektorit privat dhe 1,9 miliardë për krijimin e një fondi që do të nevojitet për nevojat e vendit pas daljes nga programi i shpëtimit që parashikohet për në gusht 2018. Presidenti i Eurogrupit njoftoi gjithashtu se fillojnë bisedimet teknike për reduktimin e borxhit grek. Por kreu i eurozonës theksoi nevojën e ruajtjes së suficiteve primare dhe vazhdimin e reformave, me qëllim që Greqia të rifitojë besimin e investitorëve. Pas tetë vitesh krize të thellë, Greqia ndodhet në prag të kthimit në normalitet, me përfundimin e programit të dytë të shpëtimit, që bazohet në një kredi prej 86 miliardë eurosh. Gjasat tregojnë se programi do të finalizohet brenda afatit, në gusht të këtij viti.

Sicred