KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Europë, rëndohet bilanci i viktimave nga moti i keq
Europë, rëndohet bilanci i viktimave nga moti i keq

Europë, rëndohet bilanci i viktimave nga moti i keq

Në mbarë Europën është rënduar bilanci i viktimave nga moti i keq, i ardhur nga Siberia. Mediat europiane raportojnë se numri i të vdekurve ka arritur në 46, që prej ditës së hënë. Viktima e fundit është një 75-vjeçar nga Holanda, që humbi ekuilibrin teksa ecte mbi akull dhe u përplas për vdekje. Sidoqoftë, bilanci i saktë është i vështirë të përcaktohet, pasi çdo vend i monitoron rastet në mënyrë të pavarur. Ajo që mund të thuhet me siguri është se shumica e viktimave janë të pastrehë. 5 persona kanë vdekur në Poloni, 4 në Francë, 3 në Lituani dhe 2 në Rumani, përfshirë një grua 83-vjeçare, që u gjetë e rrëzuar në dëborë. Ndërkohë, një 47-vjeçar i pastrehë u gjet i vdekur në Milano të Italisë. Streha emergjence janë hapur në shumë vende për t’u ardhur në ndihmë endacakëve. Në Belgjikë, policia u lejua të arrestonte njerëzit që refuzonin të shkonin në strehat e ngritura. Ndërsa në Gjermani, shoqata e të pastrehëve deklaroi se një grua kishte vdekur në një pyll në afërsi të qytetit të Lajpcigut. Temperaturat në zona të ndryshme të Europës variojnë nga minus 6 deri në minus 30 gradë celsius. Meteorologët deklarojnë se përmirësimi i situatës mund të vijë vetëm në fillim të javës së ardhshme. Ndërkohë, në shtete të ndryshme i ftohti ka marrë pseudonime të ndryshme. Në Holandë është etiketuar si “Ariu siberian”, ndërsa në Suedi “breshëria e dëborës”.

Sicred