KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Euroliga e basketbollit, Reali thyen Barcelonën në derbi

Euroliga e basketbollit, Reali thyen Barcelonën në derbi

Veprimtaria më prestigjioze e basketbollit të klubeve të Evropës, Euroliga, ka luajtur të enjten takimet e radhës dhe, sikundër ka bërë gjatë gjithë këtij sezoni, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt sfidën më të spikatur, derbin klasik të Spanjës midis Realit të Madridit dhe Barcelonës, që u fitua nga kryeqytetasit me shifrat 87-75. Në fakt, ka qenë një derbi i luftuar ky duel midis madrilenëve dhe katalanëve, i vlefshëm për javën e 12-të të fazës së ndeshjeve në grupe të kësaj veprimtarie, ku marrin pjesë 16 skuadrat më të spikatura të basketbollit kontinental. 10 minutëshi i parë i sfidës ka patur dy tablo, pasi në gjysmën e parë flet për Realin, që kryeson me disa pikë diferencë, ndërsa gjysma e dytë flet për Barcelonën, që e rikuperon deficitin e pikëve, duke bërë që kjo pjesë e parë loje të mbyllet në barazim, 15-15. Pjesa e dytë do të nisë më mirë për madrilenët, që do të jenë më agresivë në lojën mbrojtëse dhe më të saktë në atë sulmuese, duke krijuar madje edhe një epërsi prej 7, 8 apo 9 pikësh, brenda 5 minutëshit të parë. Por Reali do të vijojë të gabojë, edhe për shkak të euforisë dhe Barcelona do të kundërpërgjigjet, duke korrigjuar veten dhe e shkurtuar deri në 2 pikë hendekun e pikëve që e ndajnë nga madrilenët dhe gjysma e parë e ndeshjes do të mbyllet me shifrat 40-38 në favor të vendasve. Sikundër kishte ndodhur në dy 10-minutëshat e parë, edhe në atë të 3-tin është Reali i Madridit që e nis më mirë ndeshjen, madje duke kryesuar me një rezultat të pjesësshëm 8-0, në 48-38, dhe duke vijuar ta ruajë këtë epërsi 10-pikëshe në 54-44, më pas 56-46, 58-48 dhe duke e thelluar atë në dy minutat e fundit. Ky fraksion do të mbyllet me epërsinë e thellë të kryeqytetasve, me shifrat 68-52, edhe falë këtij 3 pikëshi të pabesueshëm të Luka Donçiç në sekondën e fundit të lojës. Edhe pse Reali do të shkojë deri në 21 pikë epërsi në fillimin e pjesës së 4-t të karakterizuar nga nervozizmi, Barcelona do të mundohet të reagojë, duke e shkurtuar këtë largësi deri në 9 pikë, 71-80, 4 minuta para fundit. Megjithatë, madrilenët mbrohen mirë dhe e ruajnë epërsinë, duke e fituar në fund gjithë ndeshjen me shifrat 87-75 dhe duke korrur fitoren e 6-të në këto 12 javë të Euroligës, ndërsa është hakmarrë edhe për humbjen me katalanët në kampionatin spanjoll.

 

Sicred