KRYEFAQJA » LAJME » EuroBasket 2017, sonte (20:00) finalja e madhe në RTSH

EuroBasket 2017, sonte (20:00) finalja e madhe në RTSH

Pas dy javësh të mbushura me emocione, drithërima dhe spektakël, të ofruar nga më të mirët e koshit të kontinetit të vjetër, Kampionati Evropian i Basketbollit ul sonte siparin e një edicioni të jashtëzakonshëm, me finalen e madhe, atë midis Sllovenisë dhe Serbisë. Kështu do të jetë një derbi ballkanik kjo finale e sotmja, pasi dy përfaqësueset e një shkolle të jashtëzakonshme basketbolli, siç ishte ajo ish-jugosllave, përplasin brirët në betejën për të bërë të tyren kurorën e kampiones së Evropës. Përkundër pritshmërive, Sllovenia vjen në finalen e sotme si favorite, pasi i ka fituar të 8 ndeshjet që ka zhvilluar në këtë Kampionat Evropian, që nisi në 4 vende organizatore, në Izrael, Finlandë, Rumani dhe Turqi, por që e zhvilloi fazën finale në Stamboll. Ndërkaq, Serbia vjen në sfidën finale pasi ka humbur vetëm një ndeshje, atë të dytën në fazën e grupeve, 72-75 përballë Rusisë, por vijoi të hakmerrej, duke i eliminuar rusët në gjysmëfinale, 87-79. Kjo është finalja e parë për sllovenët, ndërsa serbët do të kërkojnë të shkojnë më larg se ajo finale e humbur në Evropianin e 2009-ës, dhe të lënë pas dy medaljet e argjendta të fituara në Botërorin e 2014-ës dhe Olimpiadën e 2016. Sikundër i gjithë ky Kampionat Evropian, edhe emocionet e finales së madhe, do të përcillen për sportdashësit drejtpërdrejt në ekranin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 20:30.

Sicred