KRYEFAQJA » LAJME » Erozioni agresiv i detit rrezikon plazhet shqiptare

Erozioni agresiv i detit rrezikon plazhet shqiptare

Erozioni, duke gërryer rërën e plazhit dhe brezin e gjelbërt, ka krijuar një situatë alarmante në bregdetin e Shëngjinit. Pishat me moshë 50-vjeçare dhe bimësia e bregut po shkojnë në det, duke u rrezikuar dhe laguna e Kunes aty pranë. Efektet e ndryshimit të klimës me ngrohjen globale dhe shfrytëzimi pa kritet i shtretërve të lumenjve, duke penguar ardhjen e aluvioneve në det janë shkaku kryesor i këtij fenomeni. Shqetësimi i bashkisë Lezhe dhe eksperteve të mjedisit për këtë që po ndodh në zonën e Kune-Vainit, mbetet evident. Ambientalisti Jak Gjini situatën e krijuar e vlerëson si mjaft shqetësuese dhe mendon se amortizimi i saj dikton nevojën e ndërtimit të dallgëthyeseve dhe rehabilitimit të dunave. Tre dekadat e fundit vija bregdetare e Kune-Vainit është përballur me një erozion agresiv të detit i cili po avancon me shpejtësi, duke e tjetërsuar mjedisin ligatinor me vlera të pazëvëndësueshme për biodiversitetin. Si pasojë e këtij fenomeni që nga vitet 70-të janë asgjesuar 362 ha e kësaj zone bregdetare të Shëngjinit. Në të tilla kushte emergjente Bashkia Lezhë, përmes shkresave zyrtare, i bën thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe Agjensisë Kombëtare të Bregdetit për marrjen e masave të menjëhershme per frenimin e këtij fenomeni nëpërmjet ndërhyrjeve me projekte urgjente të specializuara dhe që janë kompetencë e tyre.

Sicred