KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Erdogan u bën thirrje turqve: Ktheni eurot e dollarët në lira
Erdogan: Turqit të shesin dollarët dhe eurot

Erdogan u bën thirrje turqve: Ktheni eurot e dollarët në lira

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u bëri dje thirrje qytetarëve turq t’i konvertojnë në lira kursimet që kanë në dollarë dhe euro. Kjo pasi monedha turke humbi këtë vit rreth 20 përqind të vlerës së saj ndaj monedhës amerikane. Në datën 23 maj, lira ra në vlerën e saj më të ulët, ku 4.92 lira u shkëmbyen me një dollar, çka solli më pas ndërhyrjen emergjente të bankës qendrore, e cila rriti normën e saj të interesit. -Vëllezërit e mi që keni dollarë dhe euro nën jastëk, shkoni dhe konvertojini para tuaja në lira, – u shpreh Erdogan gjatë një mitingu e mbajtur në qytetin lindor të Erzurumit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 24 qershorit. Në mënyrë të përsëritur, Ankaraja është shprehur se rënia e lirës turke ishte një komplot i drejtuar nga fuqi të huaja për të dobësuar Turqinë. – Nëse sektori financiar luan lojëra të tillat për të punuar kundër investitorëve dhe sipërmarrësve tanë, ta dinë se do të paguajnë një çmim të lartë -, tha dje presidenti turk.