KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Erdogan: Të çojmë shkëmbimet mes dy vendeve në 1 miliardë dollarë

Erdogan: Të çojmë shkëmbimet mes dy vendeve në 1 miliardë dollarë

Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdoğan, e ka konsideruar Shqipërinë, si “vend kyç për stabilitetin dhe paqen në Ballkan”. Këtë deklaratë ai e ka bërë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin shqiptar Bujar Nishani, i cili po viziton Ankaranë. Sipas njoftimeve në takimet kokë më kokë dhe ato mes delegacioneve është biseduar për shumë çështje si politike, të sigurisë, ekonomike, tregtare dhe kulturore.
Presidenti Erdoğan është shprehur i kënaqur nga angazhimi i Shqipërisë në fushën e sigurisë. Në këtë konteks ai ka premtuar se “Ndihma dhe bashkëpunimi jonë për modernizimin, pamjen ndërkombëtare dhe trajnimin e ushtrisë së Shqipërisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ndjekim nga afër punën e Shqipërisë në drejtim të integrimit drejt BE-së dhe shpresojmë që në përfundim të këtyre hapave të hedhur në reformën për drejtësi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Shqipëria është një vend i cili luan një rol kyç në stabilitetin e Ballkanit. Ne mendojmë që Shqipëria do të ndikojë për mirë në BE. Mbështesim gjithashtu nismat e Shqipërisë në politikën e jashtme, ku mund të veçojmë këtu punën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” tha zoti Erdoğan.
Duke theksuar se mes Turqisë dhe Shqipërisë për momentin ka një tregti me vlerë 300 milionë dollarë, Presidenti Erdoğan e cilësoi këtë shifër si të pamjaftueshme. Ai tha se Turqia ka dëshirë që të zgjerojë marrëveshjen tregtare mes dy vendeve duke shtuar produktet e bujqësisë dhe shtoi se një gjë e tillë mund të çojë në zgjerimin e bashkëpunimit në fushën tregtare mes dy vendeve. “Brenda një kohë të shkurtër dëshirojmë që shkëmbimet tregtare mes dy vendeve të shkojnë të paktën 1 miliardë dollarë”, tha Presidenti Erdoğan dhe më pas duke dhënë detaje mbi punën e kompanive turke në Shqipëri tha se investimet e tyre kapin shifrat e 3 miliardë dollarëve dhe të paktën 9 mijë persona janë punësuar në këto kompani. Presidenti Erdoğan tërhoqi vëmendjen në fushat të tilla si bujqësinë, infrastrukturën, turizmin dhe prodhimin, si fusha ku Shqipëria ka të ardhme.

Sicred